Zemaj e kishte njoftuar Tërnavën dhe Dodë Gjergjin se do të ndalohen ritet fetare në publik - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

12/07/2020 17:46

Zemaj e kishte njoftuar Tërnavën dhe Dodë Gjergjin se do të ndalohen ritet fetare në publik

Lajme

Gazeta Express

12/07/2020 17:46

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka takuar sot kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavën si dhe Kryeipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Zemaj ka shkruar në Facebook se bashkë me kryesuesit e institucioneve fetare në vend kanë diskutuar për bashkëpunimin në zbatimin e masave për mbrojtje nga COVID-19.

“Kam takuar sot kryetarin e BIK-ut, Myftiun Naim Tërnava dhe kryesinë e BIK-ut si dhe Kryeipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji me të cilët diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit për zbatimin e masave për mbrojtje nga Covid-19. Komunitetet fetare në Kosovë kanë luajtur rol aktiv gjatë kësaj faze të pandemisë për të ndikuar në fuqizimin e përpjekjeve për ballafaqim të përbashkët kundër pandemisë, diçka që do ta bëjnë është në të ardhmen në funksion të ruajtjes së shëndetit publik. Jemi bashkë për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tonë”, KA SHKRUAR Zemaj.

Me këtë rast, Zemaj duke se i ka njoftuar ata për masat e reja që do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për luftimin e COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media sot tha se do të ndalohen të gjitha tubimet në objektet fetare.

“Ndalojmë komplet tubimet publike dhe ritet fetare”, ka thënë Hoti teksa ka kërkuar mirëkuptim nga bashkësitë fetare.

Ndërkaq sot Myftiu Naim Tërnave, ka kërkuar të mos mbyllen xhamitë.

 “Ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare në këtë rast xhamivë”, ka thënë Tërnava, në një adresim publik.

“Ftojmë besimtarët të respektojnë në përpikëri të gjitha vendimet e dala nga Kryesia e Bashkësisë Islame”, ka shtuar ai.

Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 615 raste me COVID-19 pozitiv.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve deri të shtunën ka arritur në 4.715 nga 27.723 teste të bëra. Ndërsa janë shënuar 101 raste të vdekjeve.

Në spitalet publike në Kosovë është rritur edhe numri i të shtrirëve.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të dielën se në spitalet publike në Kosovë janë të shtrirë 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.

Prej tyre 190 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe 111 në spitalet e përgjithshme rajonale.

Nga ta, 123 me oksigjenoterapi në QKUK dhe 49 në spitalet e përgjithshme./GazetaExpress/