string(41) "zelensky-zevendeson-ministrin-e-mbrojtjes"

Lajme

Gazeta Express

04/09/2023 8:20

Zelensky zëvendëson ministrin e Mbrojtjes, kush është Rustem Umerov

Lajme

Gazeta Express

04/09/2023 8:20

Presidenti ukrainas njoftoi se ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, do të zëvendësohet gjatë kësaj jave me ligjvënësit tatar të Krimesë, Rustem Umerov.

Volodymyr Zelensky e bëri këtë njoftim më 3 shtator përmes një postimi në Telegram, duke thënë se udhëheqja e re në Ministrinë e Mbrojtjes ishte e nevojshme pasi Reznikov ka kaluar nëpër “më shumë se 550 ditë të një lufte të shkallës së gjerë”.

Ndërkaq, më vonë përmes një adresimi, Zelensky tha se beson se “Ministria ka nevojë për një qasje të re dhe forma të tjera të ndërveprimit, si me ushtrinë, ashtu edhe me shoqërinë”.

“Parlamenti i Ukrainës e ka një person të tillë dhe Umerov nuk ka nevojë që të prezantohet. Pres që kandidatura e tij të ketë mbështetjen e Parlamentit”, tha Zelensky.

Shkarkimi i Reznikovit vjen pas një skandali lidhur me prokurimin e xhaketave ushtarake nga Ministria e Mbrojtjes. Në gusht, gazetarët ukrainas raportuan se këto materiale ishin blerë me një çmim trefish më të lartë dhe në vend të xhaketave dimërore ishin blerë xhaketa verore. Në dokumentet doganore për blerjen e këtyre produkteve, një xhaketë thuhej se kishte çmimin prej 29 dollarësh, por Ministria ukrainase e Mbrojtjes kishte paguar 86 dollarë për copë. Reznikov javën e kaluar gjatë një konference për media mohoi të gjitha akuzat.

Më 3 shtator, presidenti amerikan, Joe Biden, u tha gazetarëve se ishte në dijeni që Zelensky do të zëvendësonte shefin e tij të mbrojtjes. I pyetur nga gazetarët që të komentonte këtë zhvillim, Biden tha se nuk “do të komentoj publikisht”.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore mbështesin Ukrainën e cila po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Kush është Rustem Umerov?

Ai ka lindur në Uzbekistanin sovjetik, vend ku familja e tij ishte internuar nën regjimin e Stalinit dhe ishte kthyer në Krime (Ukrainën e asokohshme). 41-vjeçari, me fe myslimane, i ishte futur jetës publike që nga 2004-a në një biznes të telekomunikacionit, ndërsa në Kuvendin e Ukrainës ishte futur në 2019-n.

Kishte shërbyer si bashkudhëheqës i Platformës së Krimesë, përpjekje diplomatike ndërkombëtare që synonte kthimin e Krimesë së aneksuar nga ana ruse në 2014-n.

Ai ka punuar për disa vite këshilltar i liderit historik të Krimesë, Mustafa Dzhemilevi.

Umerov ishte pjesë e delegacionit të Ukrainës në negociatat me Rusinë me javët e para të luftës dhe kishte marrë pjesë në bisedimet për krijimin e një korridori për eksportimin e grurit ukrainas, nëpërmjet Detit të Zi.

Në shtatorin e vitit të kaluar, ministri i zgjedhur i Mbrojtjes ishte emëruar kryetar i Fondit të Pronës Shtetërore, rol sfidues në Ukrainës, bazuar në raportet që shfaqnin procesin e korruptuar të privatizimit.