string(82) "zelensky-viziton-malin-e-zi-me-15-maj-pritet-nenshkrimi-i-marreveshjes-se-sigurise"

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 13:11

Zelensky viziton Malin e Zi më 15 maj, pritet nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 13:11

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të qëndrojë më 15 maj për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin malazez Jakov Milatovic, raporton portali Dan nga Podgorica.

Gjatë kësaj vizite, dy liderët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale sigurie, që bën pjesë në një kornizë më të gjerë bashkëpunimi ndërmjet Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s.

Sipas portalit malazez, marrëveshja bazohet në modelin e dokumenteve të ngjashme që Ukraina ka nënshkruar më parë me shtete si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ofrimi i mbështetjes afatgjatë për Ukrainën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përmes ndihmës ushtarake, trajnimeve, bashkëpunimit informativ dhe forcimit të rezistencës përballë agresionit rus.

“Me këtë akt, Mali i Zi do të konfirmojë mbështetjen e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke iu bashkuar grupit të vendeve anëtare të NATO-s që kanë marrë tashmë zotime në kuadër të deklaratës së përbashkët të korrikut 2023”, shkruan Dan, duke cituar burime të afërta me organizimin e vizitës.

Detajet e marrëveshjes pritet të bëhen publike pas nënshkrimit zyrtar në Podgoricë.