Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një person është arrestuar për vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit, Andriy Parubiy.
Ai u qëllua me armë zjarri në një rrugë të qytetit perëndimor të Lvivit.
“Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, sapo raportuan për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Andriy Parubiyt”, shkroi Zelensky në X, mbrëmjen e 31 gushtit.
“Veprimet e nevojshme hetimore janë duke vazhduar. Kam urdhëruar që informacioni i disponueshëm, t’i prezantohet publikut. I falënderoj oficerët tanë të zbatimit të ligjit për punën e tyre të shpejtë dhe të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të bëhen të qarta”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera.
Sipas një korrespondenti të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i cili ishte në vendngjarje, Parubiy u qëllua për vdekje rreth mesditës më 30 gusht, në rrugën Jefremova, pranë banesës së tij.
Autoritetet e zbatimit të ligjit konfirmuan se 54-vjeçari vdiq menjëherë nga plagët e marra.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës tha se ka nisur hetimet për vrasje dhe se sulmuesi është në kërkim për “vrasje me paramendim”.
Disa bashkëpunëtorë të Parubiyt e fajësuan Rusinë për vrasjen.
Ligjvënësi Mykola Knyazhytskiy tha se beson se vrasja e Parubiyt është “hakmarrje e Rusisë për qëndrimet e tij”.
Ai tha se Parubiy është bërë objektiv për shkak të mbështetjes së tij ndaj sovranitetit, sigurisë dhe unitetit të Ukrainës, përballë pushtimit rus.
Parubiy kishte rol të rëndësishëm në protestat e Maidanit gjatë viteve 2013-2014, të njohura në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit.
Këto protesta u zhvilluan për shkak të vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, për ta larguar Ukrainën nga Bashkimi Evropian dhe për t’u afruar me Rusinë – një vendim ky që çoi në rrëzimin e tij dhe arratinë drejt Rusisë. /REL/