Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u zotua të martën se nuk do t’i japë tokë lindore të Ukrainës Rusisë, duke thënë se braktisja e rajonit të Donbasit do t’ia hapte derën presidentit rus Vladimir Putin për të “nisur një luftë të tretë” në Ukrainë, shkruan CNN.
Paralajmërimi i Zelenskyt vjen përpara takimit të Putinit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Alaskë të premten, ku pritet që presidenti rus të kërkojë tokë ukrainase si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.
Ndërsa ka paqartësi mbi kushtet e raportuara të Putinit për një armëpushim, shumica e versioneve theksojnë se presidenti rus do të kërkojë që forcat ukrainase të tërhiqen nga të gjitha pjesët e Donbasit të Ukrainës, që përfshin edhe pjesë të rajonit të Donetskut që ende kontrollohen prej saj.
“Për rusët, Donbasi është një trampolinë për një ofensivë të re në të ardhmen. Nëse e lëmë Donbasin me dëshirën tonë ose nën presion, do të fillojmë një luftë të tretë”, tha Zelensky në një takim me gazetarët. Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe më pas nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
“Nuk kam ndërmend ta dorëzoj vendin tim sepse nuk kam të drejtë ta bëj këtë”, shtoi ai. “Nëse e lëmë Donbasin sot, fortifikimet tona, terrenin tonë, lartësitë që kontrollojmë, ne qartësisht do të hapim një bazë përgatitore për një ofensivë ruse”.
Zelensky dhe zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia po grumbullon trupa për një ofensivë të re, e gatshme për t’u nisur deri në shtator.