Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përballet me krizën më të madhe politike që kur erdhi në pushtet.
Pasi ai nënshkroi një ligj që zvogëlon në mënyrë drastike pavarësinë e institucioneve kryesore kundër korrupsionit, një valë protestash shpërtheu në Kiev dhe qytete të tjera, dhe Bashkimi Evropian po lëshon paralajmërime të ashpra se ky vendim mund të rrezikojë rrugën evropiane të Ukrainës.
Ukrainasit janë të zemëruar, shqetësim edhe në BE
Ligji i cili u miratua të martën nga parlamenti ukrainas, i lejon qeverisë të vërë nën mbikëqyrje Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrën Speciale të Prokurorit Kundër Korrupsionit (SAPO). Edhe pse Zelenskiye mbrojti ligjin duke pretenduar se donte të eliminonte ndikimin rus në “infrastrukturën kundër korrupsionit”, nuk u paraqitën prova konkrete për këtë.
Adresimi i tij në të cilin ai konfirmoi nënshkrimin e ligjit, u prit me një stuhi reagimesh.
Protestat shpërthyen në Kiev, Lviv, Dnipro dhe Odessa – të parat e këtij lloji që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Rreth 1,500 njerëz u mblodhën jashtë zyrës presidenciale në Kiev, duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Turp”, “Ne jemi pushteti”, “Tradhtar i Ukrainës” dhe “Veto ligjit”. Një pankartë thoshte: “A jeni normal?”
Zelensky u përball menjëherë me presion nga aleatët kryesorë evropianë pas nënshkrimit të ligjit. Gjermania, Franca dhe Suedia paralajmëruan se ligji dëmton drejtpërdrejt luftën kundër korrupsionit, por edhe integrimin evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kërkoi personalisht Zelenskyt sqarime . Zëdhënësja e saj e bëri të qartë: “Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë themelet e BE-së. Një vend kandidat duhet t’i respektojë ato. Nuk ka kompromis për këtë.”
Andrius Kubilius, komisioneri i mbrojtjes i BE-së, dërgoi një mesazh të ashpër: “Besimi humbet lehtë në luftë – një hap i madh gabimi është i mjaftueshëm.
Zelensky më pas thirri një takim urgjent me drejtuesit e organeve të sigurisë dhe antikorrupsionit. Ai njoftoi krijimin e një plani të përbashkët veprimi, por nuk iu përgjigj akuzave të hapura se po përpiqej të centralizonte pushtetin dhe të anashkalonte institucionet e pavarura. Në një postim në Telegram, ai tha se “të gjithë dëgjojnë atë që thotë shoqëria”.
“Ne i kemi analizuar të gjitha shqetësimet dhe do të miratojmë një projektligj që do të jetë përgjigja e tyre. Do të jetë një propozim presidencial që do të forcojë sundimin e ligjit dhe do të sigurojë pavarësinë e organeve antikorrupsion, pa ndikimin ose ndërhyrjen ruse”, tha ai.
Ai njoftoi se pret propozime specifike ligjore nga kryeprokurori dhe krerët e agjencive, dhe se ligji i ri do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për “transformimin e shtetit”.