E ardhmja e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të ketë një drejtim të ri, sot, që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pret në një takim homologun ukrainas, Zelensky dhe disa nga liderët kryesorë të BE, përfshirë dhe kreun e NATO.
Ky takim i rëndësishëm vjen pak ditë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë u takua në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Presidenti ukrainas Zelensky mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë nëse e dëshiron këtë gjë, ose mund të vazhdojë të luftojë me Rusinë”, shkruajti Trump në rrjetet sociale disa orë përpara takimit.
“Kthehuni në kohë dhe kujtoni sesi filloi e gjitha kjo. Nuk mund të marrësh mbrapsht Krimenë që e dha Obama 12 vite më parë dhe nuk mund të anëtarësohesh në NATO. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë”, shtoi ai.
Donald Trump e cilësoi ditën e sotme si shumë të rëndësishme, teksa shtoi se është i nderuar që do të presë kaq shumë drejtues të BE në një ditë të vetme në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, edhe Zelensky teksa ulej në Uashington shprehu angazhimin e tij për t’i dhënë fund luftës, teksa shtoi se paqja duhet të jetë e qëndrueshme.
“Ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të sigurojmë sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Trump, Amerikës dhe çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e filloi vetë”, shkroi presidenti i Ukrainës.
E teksa diplomacia ka hyrë në ditët e saj më të nxehta, Rusia nuk harron të lëshojë raketa në drejtim të qyteteve ukrainase.
3 persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën në Kharkiv si pasojë e një sulmi me dronë rusë si për të kujtuar se kjo luftë duhet të marrë fund sa më parë.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...