Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur zhgënjimin e tij për “heshtjen shumë të çuditshme” nga ana e Rusisë lidhur me bisedimet e mundshme paqeje në Turqi.
E përderisa Rusia nuk ka sqaruar nëse planifikon të marrë pjesë në këto bisedime dhe në çfarë niveli, në një postim të bërë mbrëmë, Zelensky theksoi se Ukraina vazhdimisht ka qenë e përkushtuar ndaj rrugës diplomatike dhe e ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë personalisht në këto bisedime.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se fundi i luftës është i pashmangshëm, dhe se “sa më shpejt, aq më mirë”.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, Rusia do të duhet ta përfundojë këtë luftë – dhe sa më shpejt, aq më mirë”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Zelensky e ka cilësuar si të rëndësishme mbështetjen e Donald Trump për këtë takim, duke shprehur dëshirën që ish-presidenti amerikan të jetë pjesë e nismës.
“Ne do të donim që ai të gjente një mundësi për të ardhur”, ka thënë presidenti ukrainas.
Kujtojmë se, ky mesazh vjen në një moment kur përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë kanë rifituar vrull, ndërsa Turqia, e cila ka luajtur më parë rol ndërmjetësues, përpiqet të rinisë dialogun mes palëve.