Pas eliminimit të FC Dritës nga UEFA Champions League nga skuadra e fuqishme daneze FC Kopenhagen, trajneri Zekirija Ramadani ka vlerësuar lart përkushtimin dhe disiplinën e futbollistëve të tij në një përballje shumë të vështirë.
Ndonëse gjilanasit u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 0-3, Ramadani u shpreh krenar për mënyrën se si skuadra e tij e përballoi një ndeshje ku për më shumë se një orë luajtën me një lojtar më pak.
“Me këto skuadra është shumë e vështirë edhe kur je me numër të barabartë, e lëre më me një lojtar më pak. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve, sepse dhanë gjithçka që kishin në fushë,” – u shpreh Ramadani pas ndeshjes.
Trajneri shtoi se kartoni i kuq për Liridon Balajn, i ardhur në minutën e 27-të, ndikoi fuqishëm në rrjedhën e lojës dhe ishte një prej momenteve vendimtare.
“Takimin e filluam mirë, me energji pozitive dhe me dëshirën për të përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë. Por ai karton i kuq, që është pjesë e futbollit, ndryshoi gjithçka. Kjo është një pasojë e mungesës së përvojës, diçka që vetëm ndeshjet e mëdha mund të ta japin”, shtoi trajneri.
Ramadani gjithashtu theksoi se pavarësisht humbjes, skuadra nuk u dorëzua dhe tregoi karakter të fortë në fushë, duke mos pësuar më shumë gola dhe duke krijuar edhe disa raste për shënim, përfshirë atë të Veton Tushës në pjesën e dytë.
“Është edhe meritë e lojtarëve që nuk pësuam ndonjë debakël, por edhe kundërshtari ishte i kënaqur me rezultatin dhe nuk rrezikoi shumë. Kemi një grup të mirë dhe kjo përvojë do t’i ndihmojë shumë djemtë për të ecur përpara”, përfundoi ai.
Drita tani përgatitet për Europa League
Pas eliminimit nga kualifikueset e Ligës së Kampionëve, FC Drita do ta vazhdojë aventurën evropiane në UEFA Europa League, ku në rrethin e tretë do të përballet me humbësin e çiftit FCSB – Shkëndija e Tetovës. Kjo do të jetë një mundësi tjetër për skuadrën nga Gjilani që të tregojë veten në arenën europiane. /GazetaExpress/
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...