Pas një karriere të lavdishme 13-vjeçare me Real Madridin, gjatë së cilës fitoi 28 trofe, Luka Modrić është zyrtarizuar mbrëmë te AC Milan.
Në moshën 39-vjeçare, mesfushori kroat do të vazhdojë karrierën në Serie A, duke pranuar një ulje të ndjeshme të pagës.
Ai tashmë ka firmosur kontratën me Milanin, duke u bërë pjesë e projektit të ri të drejtuar nga Massimiliano Allegri.
Largimi i Modrić nga “Santiago Bernabéu” erdhi pas një humbjeje të dhimbshme 0-4 ndaj PSG-së në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube.
Por trajneri dhe ish-shoku i tij i skuadrës, Xabi Alonso, kujtoi se “do të mbahet mend për gjithçka tjetër”.
Me 597 ndeshje të zhvilluara dhe 28 trofe të fituar, Modrić është lojtari më i suksesshëm në historinë e klubit madrilen.
Milan, që e mbylli sezonin në vendin e tetë në Serie A, synon të rikthehet në elitën e futbollit evropian dhe e sheh Modrić si një figurë kyçe në rindërtimin e skuadrës.
Për këtë aventurë të fundit në Evropë, Modrić ka pranuar një ulje drastike page – nga 10 milionë euro në 2.5 milionë euro në vit, një reduktim prej 75%.
Kjo tregon se “magjistari kroat” ende ka etje për futboll elitar dhe mbetet i motivuar të kontribuojë edhe për Kroacinë në arenën ndërkombëtare, për aq kohë sa do të jetë në fushë./GazetaExpress/