Jonathan David do të luajë për Juventusin në sezonin 2025-26, duke fituar 6 milionë euro në vit plus bonuse deri në 2 milionë euro.
Sulmuesi i përfaqësueses së Kanadasë mbërriti në Itali të premten në mëngjes për t’iu nënshtruar testeve mjekësore me Juventusin.
“Football Italia” raportoi në qershor se David kishte arritur një marrëveshje për një kontratë me vlerë 6 milionë euro në vit në “Allianz Stadium”, plus shtesa që variojnë nga 1 deri në 2 milionë euro.
“Bianconerët” finalizuan marrëveshjen vetëm pak ditë më parë, kur ranë dakord edhe për komisionet e agjentit me përfaqësuesin e sulmuesit.
David pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, por “Bianconerët” do të konfirmojnë zyrtarisht kohëzgjatjen e marrëveshjes në një deklaratë të mëvonshme.
Paga e David është ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë të Dusan Vlahovic, pasi sulmuesi serb do të përfitojë 12 milionë euro për vitin e fundit të kontratës së tij në Torino.
Juventusi është i gatshëm të dëgjojë ofertat për Vlahovic, për të shmangur largimin e tij si lojtar i lirë vitin tjetër.
Agjenti i Vlahovic pritet të takohet me drejtorin e Juventusit, Damien Comolli, dhe sipas “Tuttosport”, palët mund të diskutojnë edhe për një ndërprerje të mundshme të kontratës./GazetaExpress/