Një rrjet i strukturuar i prodhimit dhe tregtimit të veshjeve me marka të falsifikuara, që operonte në zonën e Rrugës së Arbrit, në fshatin Brrar të Tiranës u godit sot gjatë një operacioni nga policia e shtetit.
Gjatë kontrolleve, u zbuluan dhe u bastisën dy magazina ku kryhej aktiviteti i jashtëligjshëm, përfshirë stampimin dhe qepjen e veshjeve me logo të markave ndërkombëtare. Si rezultat, katër persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre një shtetas turk që dyshohet si organizatori i këtij rrjeti.
Të arrestuarit janë bashkëpronarë të dy magazinave dhe qiradhënësi i ambienteve, ndërsa në kërkim janë djali i njërit prej të arrestuarve dhe shtetasi turk që dyshohet se koordinonte veprimtarinë.
Nga operacioni janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme veshjesh të falsifikuara, dhjetëra makineri për qepje dhe stampim, logo të markave të njohura, dokumente identifikimi, pajisje elektronike dhe një shumë parash. Materialet e mbledhura do të shërbejnë për vijimin e hetimeve.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë katër punonjës të këtyre magazinave, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitetin e kundërligjshëm.
aaaaa