Dogana e Kosovës ka sekuestruar barna të kontrabanduara në Ferizaj, ku po ashtu gjatë kontrollit është zbuluar edhe një hapësirë e fshehur (bunker).
Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar sot një operacion të suksesshëm në qytetin e Ferizajit, duke ushtruar kontroll në një barnatore me dyshime për mallra të kontrabanduara.
Kontrolli është realizuar në tre lokacione të ndara (njësi) të të njëjtit subjekt afarist.
Si rezultat i veprimeve të ndërmarra:
• Në dy nga tre lokacionet janë identifikuar mallra të dyshuara si të kontrabanduara, përkatësisht barna pa dokumentacion dhe pa banderola.
• Në njërin nga lokacionet është zbuluar një hapësirë e veçantë dhe e fshehur (bunker), e përshtatur për fshehjen e barnave, ku janë gjetur barna të kontrabanduara pa banderola.
Në total, janë sekuestruar 168 lloje të barnave të ndryshme në sasi prej 1,173 paketimesh.
Dogana e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj palëve të përfshira dhe rikujton qytetarët se kontrabanda me barna paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe përbën vepër penale. Dogana mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut dhe konsumatorit.
Indeksonline ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes.