Pas gati 170 vitesh të zhdukur nën ujërat e trazuara të bregdetit të Australisë Jugore, arkeologët detarë kanë zbuluar rrënojat e anijes tregtare holandeze Koning Willem de Tweede, e cila u mbyt në vitin 1857 gjatë një stuhie të fuqishme.
Anija me vela, me një peshë prej 800 tonësh, po nisej për t’u kthyer në Holandë kur u përmbys pranë qytetit-port Robe. Nga fatkeqësia mbijetoi vetëm një pjesë e vogël e ekuipazhit, ndërsa dy të tretat humbën jetën dhe trupat e tyre mendohet se ndodhen ende të varrosur në rërat e Long Beach.
Vetëm disa ditë para mbytjes, anija kishte transportuar 400 emigrantë kinezë që po udhëtonin drejt minierave të arit në Viktoria.
Zbulimi u bë më 10 mars 2025, pas një kërkimi trevjeçar të mbështetur nga Ministria e Jashtme e Holandës dhe Agjencia për Trashëgiminë Kulturore të vendit.
Sipas arkeologëve, vendndodhja e rrënojave përputhet me të dhënat historike, ndërsa gjatësia e pjesëve metalike të gjetura rreth 43 metra konfirmon identitetin e anijes.
Në vitin 2023, në afërsi të vendit ku ndodhet rrënoja, u gjetën edhe copa qeramike kineze të shekullit të 19-të, çka forcon edhe më tej identifikimin e anijes dhe lidhjen e saj me emigrantët kinezë.
“Anijet e asaj kohe ishin të shtrenjta dhe dokumentoheshin me shumë detaje, prandaj është e mundur të identifikohen përmes përshkrimeve të ndërtimit dhe përmasave,” tha Patrick Morrison, arkeolog detar.
Muzeu Kombëtar Detar i Australisë do të vijojë punën për të nxjerrë dhe ruajtur artefakte të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarjeje historike dhe të jetës detare në shekullin e 19-të.