Rasti i pazakontë i mumjes së gjelbër ka habitur shkencëtarët për dekada.
Një adoleshent i varrosur në Itali qindra vjet më parë zhvilloi një shkëlqim të dallueshëm smeraldi, të pazakontë për mbetjet njerëzore.
Sot, shkencëtarët thonë se sekretet pas kësaj ngjyre të pazakontë janë zbuluar, dhe zbulimi “ndryshon plotësisht” kuptimin e tyre mbi rolin e disa materialeve në procesin e konservimit.

Adoleshenti, që kishte 12–14 vjeç kur vdiq, u gjet për herë të parë në bodrumin e një vile të lashtë në Bologna, Itali, në vitin 1987. Ai ishte varrosur në një kuti bakri, dhe skeleti i tij ishte pothuajse i plotë, përveç këmbëve.
Çfarëdo gjetjeje të mumjeve konsiderohet e rëndësishme për shkencën, por ky rast ishte i veçantë: përveç këmbës së majtë, mumja ishte pothuajse e tërë e gjelbër, nga lëkura te kockat.
Trupi është ruajtur me kujdes në Universitetin e Bolonjës që nga zbulimi i parë. Tani, një ekip ekspertësh ka zbuluar rrethanat misterioze që shkaktuan ngjyrën e pazakontë.
Sipas Annamaria Alabiso, shkencëtare e konservimit në Universitetin e Romës “Tor Vergata”, datimi me radiokarbon tregoi se adoleshenti vdiq midis viteve 1617 dhe 1814. Analizat kimike dhe fizike nuk treguan shenja të qarta sëmundjeje apo traumash, duke lënë të paqartë shkaqet e vdekjes.
Lëkura e ruajtur ishte e mbuluar me një shtresë jeshile të zbehtë, të ngjashme me atë që zhvillohet mbi statuja bakri dhe bronzi.
“Ky zbulim ndryshon totalisht pikëpamjen tonë mbi rolin e metaleve të rënda, pasi efektet e tyre në konservim janë më komplekse nga sa mund të mendojmë,” tha Alabiso për New Scientist.

Dyshohet se fundi i kutisë së bakrit është çarë në një moment, duke lejuar daljen e lëngut. Kjo krijoi një ambient të ftohtë dhe të thatë me oksigjen të kufizuar, që përforcoi efektin konservues. Këmbët e adoleshentit mund të jenë shkëputur dhe humbur kur u thye kutia.
Në Journal of Cultural Heritage, ekipi shkroi: “Mumja e gjelbër e Bolonjës është rezultat i një kombinimi unik të faktorëve mjedisorë: temperaturat e ulëta në bodrum, oksigjeni i kufizuar brenda kutisë, dhe veprimi biocid i joneve të bakrit, të cilat së bashku kontribuan në procesin e pazakontë të mumifikimit.”
Si ndikon bakri në mumifikim?
Një rast tjetër, i një foshnjeje të varrosur me një monedhë bakri, tregon se bakri mund të shkaktojë ngjyrë jeshile mbi pjesë të trupit. Analizat treguan se disa pjesë të trupit kishin ngjyrë jeshile deri në kocka, duke përfshirë parakrahun, disa vertebra, një kockë të legenit dhe kockat e këmbëve.
Nivelet e bakrit në mumje ishin qindra herë më të larta se mesatarja, sipas studiuesve. Bakri, megjithëse i domosdoshëm për disa enzima njerëzore, ka veti antimikrobiale dhe për shumë vite është përdorur si fungicid dhe baktericid.
Megjithatë, procesi i ashtuquajtur “mumifikim kuazi-natyror i nxitur nga bakri” nuk ishte dokumentuar më parë, dhe ky mund të jetë rasti i parë i raportuar. /GazetaExpress/