string(70) "zbulohet-menyra-se-si-reali-do-te-pershpejtoje-transferimin-e-arnoldit"

Sport

Gazeta Express

03/05/2025 10:05

Zbulohet mënyra se si Reali do të përshpejtojë transferimin e Arnoldit

Sport

Gazeta Express

03/05/2025 10:05

Transferimi ende nuk është zyrtarizuar, por është shumë pranë realizimit.

Një nga nevojat më të ngutshme të skuadrës së Real Madridit vitet e fundit ka qenë pozicioni i mbrojtësit të djathtë, dhe emri që prej kohësh është në radarin e klubit nga Chamartín është ai i Trent Alexander-Arnold, për të konkurruar me Dani Carvajal.

Për shkak të dëmtimit në gju të kapitenit Carvajal, i cili tani është në fazat e fundit të rikuperimit, kjo çështje është bërë gjithnjë e më e rëndësishme.

Në moshën 33-vjeçare, një dëmtim i tillë është serioz, dhe ideja që ai të rikthehet me forcë për Kupën e Botës për Klube po shqetëson brenda kampit madrilen.

Si rrjedhojë, “të kesh Trentin” të disponueshëm në fillim të qershorit do të ishte ideale.

Megjithatë, mbrojtësi i djathtë i Liverpoolit ka kontratë deri më 30 qershor, ndërkohë që kompeticioni nis më 14 të atij muaji.

Kujtojmë se edhe pse në javët e fundit marrëdhëniet me tifozët e klubit janë përkeqësuar (duke çuar deri në fishkëllima në stadiumin e tyre, gjë e pazakontë në fushat angleze), nuk duhet harruar se Trent është produkt i akademisë dhe tifoz i flaktë i Liverpoolit që nga fëmijëria, ndaj nuk ka shumë gjasa që të forcojë presionin për një largim të parakohshëm.

Nga ana e klubit anglez, qëndrimi mund të mos jetë aq i ngurtë.

Në fund të fundit, bëhet fjalë për një lojtar që do largohej me parametër zero, ndaj përfitimi i një kompensimi modest do të ishte fitim neto, duke qenë se ai është produkt i akademisë së Melëoodit.

Shifra, sipas “Diario AS”, do të ishte rreth 1 milion euro, plus kursimi i pagës së Arnold për muajin qershor (po ashtu rreth 1 milion euro).

Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe hapësira burokratike.

Për të mos dëmtuar ekipet me shumë lojtarë që u skadon kontrata në qershor dhe për të shmangur një rënie të nivelit në edicionin e parë të Kupës së Botës për Klube, FIFA ka hapur një dritare shtesë transferimesh nga data 1 deri më 13 qershor, gjatë së cilës klubet mund të regjistrojnë blerjet e reja.

Gjithashtu, duke qenë të vetëdijshëm për aktivitetin e vrullshëm të lojtarëve, agjentëve dhe klubeve gjatë merkatos, është krijuar edhe një tjetër dritare nga 27 qershori deri më 3 korrik, në mënyrë që lojtarët e kualifikuar në çerekfinale të mund të përforcojnë skuadrat që do të jenë tashmë në garë në SHBA./GazetaExpress/