Nga Calibri klasike deri tek Wingdings ekscentrike, përdoruesit e kompjuterëve kanë mbi gjysmë milioni fonte për të zgjedhur. Por një studim i ri zbulon se zgjedhja e fontit tënd mund të thotë shumë për personalitetin tënd.
Ekspertët e Adobe pyetën mbi 1,000 persona rreth mendimeve të tyre mbi 13 nga fontet më të njohura, përfshirë Times New Roman, Arial, Comic Sans dhe Verdana.
Rezultatet do të jenë një lehtësim për adhuruesit e Times New Roman, Calibri dhe Arial. Por nëse fonti yt i preferuar është Comic Sans ose Papyrus, këto të dhëna mund të të nxisin të zgjedhësh një font tjetër.
“Fontet serif, si Times New Roman ose Georgia, karakterizohen zakonisht nga eleganca dhe lidhen shpesh me formalitet dhe profesionalizëm,” shpjegoi Adobe.
“Ndërsa fontet sans serif, si Arial ose Calibri, perceptohen më të thjeshta dhe të qasshme, me një estetikë të pastër dhe moderne.”
Fontet më të njohura dhe më të urryer
Në sondazh, Times New Roman – një font i dizajnuar për herë të parë në 1931 – mbeti më i popullarizuari, zgjedhur nga 27% e pjesëmarrësve. Pas tij vijnë Calibri (16%), Helvetica dhe Arial (të dy 12%), dhe Georgia (8%).
Meshkujt ishin 45% më të prirur se femrat të thonë se fonti i tyre i preferuar ishte Times New Roman, sqaroi Adobe.
Në anën tjetër, Wingdings u konsiderua fonti më “i turpshëm” nga 55% e pjesëmarrësve, ndjekur nga Comic Sans (17%), Papyrus (11%), Lobster (8%) dhe Impact (3%).
“45% mendojnë se Wingdings duhet të hiqet përgjithmonë, dhe më pas vjen Comic Sans me 15%,” shtoi Adobe.
Nëse dërgoni shumë emaile, studimi sugjeron të përdorni Times New Roman, i cili u lidh nga 64% e të anketuarve me një biznes të besueshëm dhe profesional, përpara Arial (15%), Calibri (8%), Verdana (3%) dhe Roboto (3%).
Fontet më pak të besueshme për biznes ishin Impact, Lobster dhe Wingdings, me më pak se 0.5% të pjesëmarrësve që i konsideruan të pranueshme.
Times New Roman gjithashtu dominon për lexueshmëri, përpara Arial, Calibri, Roboto dhe Verdana.
Preferencat sipas brezave
Sondazhi tregoi se fontet rezonojnë ndryshe me gjeneratat:
Gen Z adhuron më shumë Times New Roman, me më shumë se një në tre që e konsideron fontin e tyre të preferuar.
Gen X dhe Baby Boomers janë 60% më të prirur të zgjedhin Arial, krahasuar me Gen Z dhe Millennial.
Kjo vjen pak pas vendimit të Microsoft për të zëvendësuar Calibri si fonti default për herë të parë pas 17 vjetësh, me Aptos – një font sans serif, i ngjashëm me paraardhësin e tij.
Çfarë tregon fonti yt për ty
Helvetica (Gen Z): Kreativ, i organizuar, punë në UX/UI Design
Times New Roman (Millennial): Kreativ, i organizuar, punë në fushën ligjore
Calibri (Gen Z): Analitik, detajist, punë në teknologji
Arial (Gen Z): Kreativ, disi i organizuar, punë në marketing dixhital
Impact (Baby Boomer): Praktik, i organizuar, punë në reklamë
Comic Sans (Baby Boomer): Kreativ, i organizuar, punë në edukim
Roboto (Gen Z): Kreativ, i organizuar, punë në UX/UI Design
Lobster (Gen X): Praktik, i organizuar, punë në dizajn
Courier New (Gen Z): Analitik, detajist, punë si zhvillues software
Verdana (Gen Z): Praktik, i organizuar, punë në teknologji
Georgia (Gen Z): Praktik, i organizuar, punë në fushën dixhitale
Wingdings (Baby Boomer): Shoqëror, i organizuar, punë në arkitekturë
Papyrus (Baby Boomer): Kreativ, disi i organizuar, punë në art