Arsenal më në fund ka përfunduar transferimin e Martin Zubimendi, ardhja e të cilit nga Real Sociedad u bë zyrtare të dielën. 26-vjeçari, për të cilin klubi londinez aktivizoi klauzolën e lirimit prej 60 milionë eurosh, largohet nga San Sebastian pas 14 vitesh me fanellën e Txuri-Urdin.
Transferimi i Zubimendit te Arsenal ka qenë i përfolur prej javësh, por marrëveshja është zyrtarizuar vetëm tani, pasi Real Sociedad kërkoi që regjistrimi të bëhej për sezonin 2025–26, për të pasur më shumë fleksibilitet në përdorimin e fondeve nga kjo shitje.
Në njoftimin e bërë për prezantimin e tij, Arsenal konfirmoi se Zubimendi do të mbajë fanellën me numrin 36, gjë që mund të jetë befasuese për tifozët, pasi numri 5 ishte i lirë pas largimit të Thomas Partey. Megjithatë, sipas gazetës Mundo Deportivo, ky vendim ka një domethënie të veçantë për mesfushorin spanjoll, pasi 36 ishte numri që ai mbante në debutimin e tij me Real Sociedad në prill të vitit 2019 – dhe për të, si ish-lojtar i akademisë, ky numër ka vlerë emocionale.
Ky transferim gjithashtu i jep mundësinë Zubimendit të ribashkohet me dy ish-shokë skuadre nga La Real: Martin Odegaard, i cili kaloi një sezon në Reale Arena (2019–20), dhe Mikel Merino, bashkëlojtar në kombëtaren spanjolle, i cili u bashkua me Arsenalin verën e kaluar pas gjashtë vitesh në San Sebastian.
Në letër, Zubimendi konsiderohet një nga mesfushorët mbrojtës më të mirë në botë, dhe nën drejtimin e Mikel Arteta-s, Arsenal shpreson që ai të ndihmojë skuadrën të arrijë më në fund titullin e Premier League, të cilin nuk e ka fituar që nga sezoni legjendar 2003–04./GazetaExpress/