Sipas raporteve, Viktor Gyokeres mbeti i zhgënjyer nga mënyra se si Ruben Amorim e trajtoi një futbollist të Manchester United.
Gyokeres vendosi të mos firmosë për Manchester United pasi u bind nga sjellja e trajnerit Ruben Amorim ndaj një lojtari të kësaj skuadre në Old Trafford.
Gyokeres ka qenë një nga emrat më të përfolur gjatë kësaj merkatoje vere, duke dominuar lajmet dhe spekulimet.
Vlera e tij u rrit ndjeshëm pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Sporting CP, ku shënoi 54 gola në 52 ndeshje, pas një debutimi po aq mbresëlënës me 43 gola në kampionatin portugez.
Arsenal raportohet se është favorit për të siguruar shërbimet e Gyokeres përpara Manchester United dhe Juventusit, ndërsa tifozët besojnë se “Topçinjtë” dhanë një sinjal në prezantimin e fanellës së re.
“Djajtë e Kuq” ishin të interesuar ta transferonin sulmuesin 27-vjeçar si pjesë e përforcimeve të tyre për repartin e avancuar për sezonin 2025/26.
Por duket se Ruben Amorim ka dështuar ta bindë ish-sulmuesin e tij te Sporting për t’iu bashkuar Manchester United.
Sipas të përditshmes portugeze Record, Gyokeres është ndjerë i zhgënjyer nga mënyra se si Amorim e largoi bashkëkombësin e tij suedez, Victor Lindelof.
Gyokeres dhe Lindelof ndajnë të njëjtin menaxher, biznesmenin turk Hasan Cetinkaya, ndërsa mbrojtësi kishte shprehur dëshirën të qëndronte te Manchester United nëse klubi do t’i kishte ofruar një kontratë të re.
Gjithashtu raportohet se edhe vetë Cetinkaya është ndjerë i fyer nga sjellja e Amorim ndaj Lindelof, duke pasur parasysh se ai kishte bindur më herët Gyokeres që të punonte nën urdhrat e trajnerit 40-vjeçar te Sporting.
Gyokeres zgjodhi të transferohej te Sporting nga Coventry City në verën e vitit 2023, pavarësisht ofertave të shumta nga klube të Premier League.
Skuadra portugeze e transferoi atë për rreth 20 milionë funte, pas një periudhe të shkëlqyer në Championship, ku kishte shënuar 38 gola në dy sezone.
Ndërkohë, Lindelof u transferua te Manchester United nga Benfica për 31 milionë funte në verën e vitit 2017.
Ai zhvilloi 284 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Në sezonin e fundit luajti vetëm 25 ndeshje, që ishte numri më i ulët që nga transferimi i tij në “Old Trafford”
Lindelof u largua këtë verë nga Manchester United pas përfundimit të kontratës së tij. /GazetaExpress/