Shkalla e abuzimeve të përjetuara nga jemenasit në burgjet dhe qendrat jozyrtare të mbajtjes janë zbuluar përmes një raporti, ku tregohet se si ndalimet dhe vrasjet jashtëgjyqësore janë shtuar në masë të madhe gjatë konfliktit pesëvjeçar.
Një grup jemenas për të drejtat e njeriut, i quajtur Mwatana, nga maji i vitit 2016 deri në prill të këtij viti i ka dokumentuar 1,605 raste të ndalimit arbitrar, 770 të zhdukjes së detyrueshme dhe 344 raste të torturimit, të kryera nga të gjitha palët e konfliktit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Grupi i rebelëve Houthi, i përkrahur nga Irani, ishte përgjegjës për shumicën e rasteve, më saktësisht për 904 ndalime arbitrare ose abuzive, 353 zhdukje të detyrueshme, 138 rasteve të torturimit dhe 27 vdekje të personave në mbajtje, thuhet në këtë raport.
Raporti vë në pah se privimi nga ushqimi dhe uji, rrahjet dhe lëndimi ose vrasja përmes rrymës elektrike kanë qenë të zakonshme në 11 qendrat jozyrtare të ndalimit, që u përfshinë në hulumtim.
Në bazë të vizitave në terren, intervistave me personat që kanë qenë të ndaluar më parë, dëshmitarë, të afërm dhe avokatë, forcat e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe grupet e armatosura të lidhura me to kanë qenë përgjegjëse për disa ndër trajtimet më të tmerrshme të të burgosurve, përfshirë mbajtjen e personave të varur me kokë teposhtë për orë të tëra dhe djegien e organeve gjenitale.
Gjithsej, forcat e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe grupet aleate të tyre u vlerësuan përgjegjëse për 419 raste të ndalimeve abuzive ose arbitrare, 327 zhdukjeve të detyrueshme, 141 rasteve të torturës dhe 25 vdekjeve të personave në mbajtje.
Ndërkohë qeveri e Jemenit, e përkrahur nga Arabia Saudite, ishte përgjegjëse për 282 ndalime, 90 zhdukje, 65 raste të torturës dhe 14 vdekje të personave në mbajtje.
Numri më i madh i ndalimeve është dokumentuar në Agjencinë për Siguri dhe Inteligjencë në kryeqytetin Sana, i cili kontrollet nga rebelët Houthi. Personat që janë mbajtur aty kanë thënë se në mesin e formave të torturimit ka qenë edhe heqja e thonjve, rrahjet e rënda dhe shoku elektrik.
Në burgun “7 Tetori”, që kontrollohet nga grupi “Rripi i Sigurisë”, i cili lufton kundër rebelëve Houthi, të burgosurit kanë përjetuar tortura si mungesa e ushqimit dhe ujit, detyrimi për të pirë urinë, rrahje me çekan dhe tortura seksuale.