Zbulohen mesazhet brutale që ia dërgonte Mourinho ish-lojtarit të tij çdo natë - Gazeta Express
string(78) "zbulohen-mesazhet-brutale-qe-ia-dergonte-mourinho-ish-lojtarit-te-tij-cdo-nate"

Futboll

Gazeta Express

10/10/2025 16:44

Zbulohen mesazhet brutale që ia dërgonte Mourinho ish-lojtarit të tij çdo natë

Futboll

Gazeta Express

10/10/2025 16:44

Ish-anësori i Manchester United dhe Arsenal, Henrikh Mkhitaryan, ka zbuluar mesazhet “të shëmtuara” që mori nga Jose Mourinho, të cilat çuan në prishjen e marrëdhënies mes tyre.

Në vitin 2016, Mkhitaryan, tani 36 vjeç, iu bashkua Manchester United nga Borussia Dortmund për një shumë prej rreth 26.4 milionë £, duke nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin anglez.

Armeni kishte shkëlqyer më parë në Bundesligë dhe erdhi në Angli me reputacion të lartë.

Por qëndrimi i tij në “Old Trafford” zgjati vetëm dy vjet. Ai shënoi 13 gola dhe dha 11 asistime në 63 ndeshje, përpara se të kalonte te Arsenali në vitin 2018.

Megjithatë, gjatë kohës së tij te United, ai fitoi dy trofe – Kupën e Ligës (2017) dhe Europa League (2017), ku shënoi në finalen 2-0 kundër Ajax-it.

Megjithatë, periudha e tij në klub u errësua nga përplasja me Mourinhon, atëherë trajner i United.

Tashmë lojtar i Interit në Serie A, Mkhitaryan ka treguar versionin e tij në librin e ri “My Life Always at the Centre”.

Ai shkruan: “I thashë atij: që kur kam ardhur në Manchester United, ke 1 vit e gjysmë që më kritikon vazhdimisht.”

Sipas tij, Mourinho iu përgjigj duke i thënë se ishte “m***”, gjë që e bëri Mkhitaryanin të humbiste durimin.

“Mou më tha: ‘Dil prej këtu, nuk dua të të shoh më kurrë.’ Gjatë stërvitjeve, nuk më fliste fare – një heshtje pothuaj fetare – por çdo mbrëmje më dërgonte mesazh në WhatsApp: ‘Miki, ik, të lutem.’”

Mkhitaryan shton: “Situata ishte bërë groteske. Unë i përgjigjesha gjithmonë njësoj: ‘Do të largohem nëse gjej ekipin e duhur; përndryshe, do të pres verën.’”

Në janar, gjatë merkatos, Mourinho ndryshoi tonin e mesazheve, duke i kërkuar të largohej që United të mund të transferonte Alexis Sanchez nga Arsenal.

Agjenti i tij, Mino Raiola, punoi për marrëveshjen që përfundoi me shkëmbimin e lojtarëve: Sanchez te United dhe Mkhitaryan te Arsenal.

Mkhitaryan kujton: “Edhe përgjigjja ime ndryshoi. I thashë: ‘Nuk do të largohem vetëm për t’i bërë ty një nder. Dhe të lutem, mos më shkruaj më. Nëse do të flasësh, fol me Minon.’”

Në fund, jeta e tij pas United mori kthesë pozitive. Ai fitoi disa trofe, përfshirë Conference League në sezonin 2021/2022 – ironikisht me Mourinhon si trajner te Roma.

Në radhët e Interit, ai ka luajtur dy finale të Champions League, si dhe ka fituar Serie A dhe Coppa Italia./GazetaExpress/