Në Pensilvani, hulumtuesit kanë bërë një zbulim të rrallë: ata kanë gjetur atë që mendohet të jenë disa nga notat më të hershme të shkruara në historinë muzikore perëndimore.
Dorëshkrimi daton nga shekulli IX dhe sipas ekspertëve, kishte qëndruar “i fshehur në sy të gjithkujt” për vite me radhë, duke u ruajtur në duart e një koleksionisti privat, raporton The Guardian.
Në dokument, shënimet muzikore shfaqen mbi fjalën “allelua”, pjesë e një flete liturgjike katolike, e cila përdorej gjatë meshës në Evropën perëndimore rreth fundit të viteve 800. Shënimet përfshijnë karaktere dhe pika të ngjashme me shkurtime të shkurtra që, sipas studiuesve, përfaqësojnë udhëzime për ngritjen dhe uljen e tonit, një ndihmë vizuale për këngëtarët e asaj kohe.
Ndërsa forma më të hershme të muzikës së shkruar ekzistojnë, si “Himni për Nikkal”, gdhendur në pllaka balte që datojnë nga 1400–1200 p.e.s., këto shënime liturgjike konsiderohen ndër të parat që tregojnë lindjen e muzikës moderne perëndimore, thonë studiuesit.
Historiani dhe koleksionisti Nathan Raab, president i “Raab Collection”, i cili zbuloj dorëshkrimin gjatë vlerësimit të tij, tha se shënimet më parë janë keqkuptuar ose anashkaluar. Ai kaloi muaj duke studiuar origjinën dhe rëndësinë historike të dokumentit.
“Kjo është një dëshmi jashtëzakonisht e hershme e përdorimit tonë modern të shënimeve muzikore dhe na kujton se zbulime të tilla ndonjëherë qëndrojnë të fshehura, edhe kur janë para syve të të gjithëve,” tha Raab.
Dokumenti, që mendohet të jetë krijuar në Gjermani gjatë gjysmës së dytë të shekullit IX, përmban tekste të dedikuara për shërbimet e Pashkëve. Raab vlerëson se ky dorëshkrim, me një çmim tregu prej rreth 80,000 dollarësh, mund të jetë edhe më i vjetër se dokumentet e tjera të njohura në koleksionet private.
Shembujt më të hershëm të shënimeve të muzikës së ruajtura përfshijnë dorëshkrimin e Laon Gradual në Francë dhe Cantatorium i Shën Gall në Zvicër, të dy datojnë në fund të shekullit IX ose fillim të shekullit X. Megjithatë, sipas Raab, dokumenti i zbuluar në Pensilvani mund të jetë më i hershëm dhe një nga dëshmitë më të vjetra të muzikës së shkruar në perëndim.
“Ndërsa muzika ka qenë një konstantë e kulturës njerëzore, forma e saj e shkruar nuk ka qenë gjithmonë prezente. Kjo fletë qëndron ndër dëshmitë më të hershme për shënimin e muzikës perëndimore, së bashku me Laon Gradual dhe St Gall Cantatorium,” shtoi Raab.
Zbulimi është përshëndetur si një ngjarje e rëndësishme për historinë e muzikës, duke hapur mundësi të reja studimi për evoluimin e shënimeve muzikore dhe për kuptimin e praktikave liturgjike në Mesjetë. /GazetaExpress/