Gërmimet arkeologjike në kalanë e Argjirosë në Gjirokastër kanë nxjerrë në pah zbulimet e para duke sjellë në dritë gjurmë të një kulle që i përket periudhës së antikitetit të vonë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se këto zbulime hedhin dritë mbi fazat më të hershme të ndërtimit dhe funksionit të kalasë së Gjirokastrës, duke thelluar njohuritë për historinë e saj.
Ajo bëri me dije se gjatë punimeve janë gjetur edhe mbetje skeletore të një kali dhe të një luftëtari në afërsi të tij, së bashku me objekte arkeologjike që i përkasin periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë.
Në fazën përmbyllëse të kërkimeve është zbuluar skeleti i një mashkulli, i vendosur brenda një strukture murale të periudhës së antikitetit të vonë, ndërkohë që në afërsi të saj është zbuluar edhe skeleti i një kali.
Sipas specialistëve, kjo strukturë mendohet t’i përkasë një ndërtimi fortifikues më të hershëm, ndoshta të shekullit VI të erës sonë, i cili më vonë është dëmtuar dhe është përdorur si bazë për ndërtimet e periudhës mesjetare.