Një tjetër aplikacion “Matrix” që përdorej për dërgimin e mesazheve të koduara nga grupe kriminale është zbërthyer nga autoritetet e huaja të drejtuara nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të Europës.
Programi i njohur me emrin MATRIX ishte vendosur për të paktën 3 muaj në monitorim nga autoritetet. Europol thekson se MATRIX është një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët. Ky program u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari në vitin 2021.
Madje ekstertët kanë vërtetuar se infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky EÇ dhe EncroChat.
Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët. MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende me serverë të rëndësishëm që gjenden në Francë dhe Gjermani.