Zbarkimi i FSK-së në Veri sipas partisë së Kurtit, KFOR: Autorizuam vetëm 10 pjesëtarë përkohësisht për të kërkuar 33 vjeçarin - Gazeta Express
string(124) "zbarkimi-i-fsk-se-ne-veri-sipas-partise-se-kurtit-kfor-autorizuam-vetem-10-pjesetare-perkohesisht-per-te-kerkuar-33-vjecarin"

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 18:15

Zbarkimi i FSK-së në Veri sipas partisë së Kurtit, KFOR: Autorizuam vetëm 10 pjesëtarë përkohësisht për të kërkuar 33 vjeçarin

Lajme

Gazeta Express

01/08/2025 18:15

Vendosjen e një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit për të kërkuar trupin e 33 vjeçarit që ishte hedhur në liqe nga ura e që s’kishte dalë më, partia në pushtet e ka shfrytëzuar për propagandë e mesazhe politike. Me të dalë pamjet e para nga atje, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, kishte shkruar “FSK në Veri”.

Besnik Velija

Në një postim tjetër në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje ku ishte zgjedhur një fotografi ku shihen vetëm veturat e FSK-së, ishte shkruar se kjo është vendosja e parë e FSK-së në Veri. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në postimin e tij ku njoftonte për këtë operacion të përbashkët e me leje të KFOR-it, në shtatë fotografitë që ka postuar, në asnjërën nuk shihet ndonjë ushtarë i KFOR-it apo ndonjë veturë e KFOR-it.

Ky përdorim politik i këtij operacioni humanitar në Ujman, në të cilin FSK ishte lejuar të kontribuonte vetëm pas aprovimit të marrë nga Komandanti i KFOR-it ka nxitur reagime të ashpra të ambasadorëve të huaj në Kosovë.

Ambasada Gjermane në një reagim kishte shkruar se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar vendosjen e sotme të një ekipi të specializuar të Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës në Ujman.

“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për poena politik”, thuhej në reagim. Në të njëjtën frymë kishte reaguar edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot.

Për këtë përdorim politik të kësaj ngjarjeje nga partia në pushtet dhe për kornizimin propagandistik që iu bë kësaj vendosjeje të FSK-së në Ujman, Gazeta Express ka drejtuar pyetje në adresë të KFOR-it. Në një përgjigje nga Zyra për Media e KFOR-it, kanë thënë se fillimisht dëshirojnë që të shprehin ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen dhe miqtë e 33 vjeçarit i cili u gjet i vdekur në liqenin e Ujmanit.

KFOR në këtë përgjigje për Express ka treguar për këtë operacion në Ujman kishin autorizuar përkohësisht vetëm 10 pjesëtarë të ekpit për kërkim-shpëtim të FSK-së, autorizim ky që bëhet me vlerësim të kujdesshëm nga ana e KFOR-it.

“Së pari, dëshirojmë të përsërisim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe miqtë e të ndjerit.10 persona të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së u autorizuan të vendosen përkohësisht në Veri për të ndihmuar në kërkimin e tij. Autorizime të tilla i nënshtrohen gjithmonë një vlerësimi të kujdesshëm nga KFOR-i”, kanë thënë nga KFOR në përgjigjen për Express.

Në fund, thonë se në përputhje me mandatin, do të vazhdojnë të sigurojnë liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet dhe gjithashtu do të vazhdojnë ndërveprimin me institucionet e Kosovës, në përputhje strikte me detyrat respektive dhe mandatet.

“Në përputhje me mandatin tonë, KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri lëvizjeje, në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.Kjo do të vazhdojë të përfshijë edhe bashkëveprimin me Institucionet në Kosovë, në përputhje të rreptë me rolet dhe mandatet e tyre përkatëse”, ka përfunduar përgjigja nga KFOR./GazetaExpress/