Pas ambasadorit gjerman në vendin tonë, sot kryeprokurori i Përgjithshëm Olsian Çela vijoi takimet me krerët e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ambasada amerikane në Tiranë njofton se Leyla Moses Ones i konfirmoi kryeprokurorit Çela mbështetjen për reformën në Drejtësi dhe lufën kundër krimit të organizuar.
“E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones dhe Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca u takuan sot me Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Çela.
E Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit”, thekson ambasada.
Në lidhje me këtë takim pati një njoftim edhe zyra e BE-së në Tiranë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca shkruan se zgjedhja e Z. Çela është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi
“Së bashku me Leyla Moses-Ones takuam Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Çela. Ne diskutuam prioritetet kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin e rëndësishëm të hetimeve proaktive financiare, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit, si dhe fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK.
Zgjedhja e Z. Çela është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është prioritet kryesor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Soreca./Express