Sherri që përfundoi në të shtëna me armë zjarri në Kombinat është zbardhur nga policia.
Një 28-vjeçar qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin dy shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me ta, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve në afërsi.
Në pranga u vu autori edhe një 30-vjeçar, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku 28-vjeçari qëlloi me armë zjarri.
Gjithashtu policia sekuestroi automjetin e përdorur nga autorët gjatë ngjarjes, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit.
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
• O. A(V)., 28 vjeç
• S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.