Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e 27-vjeçarit Renato Çadra mbrëmjen e së premtes në zonën e Treshit në Kamzë. Tre persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.Report Tv mëson se janë arrestuar Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe Ibrahim Kupa.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Zona e Treshit”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 27-vjeçar.Identifikohen 4 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit me të cilën u plagos 27-vjeçari.Sekuestrohen 1 automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes si dhe sende të tjera të kundraligjshme të vlefshme për hetimin.
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi R. Ç., 27 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes,, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:-u arrestuan shtetasit B. N., 47 vjeç dhe A. Ll., 42 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”;-u arrestua shtetasi I. K., 51 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;-shpallën në kërkim shtetasin S. N., 35 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin R. Ç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, nuk ka kallëzuar për ngjarjen.Gjithashtu, gjatë konfliktit ka mbetur i dëmtuar lehtë me sende të forta, shtetasi G. Sh., 42 vjeç, i cili ishte në shoqërinë e të dëmtuarit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjore të ngjarjes si dhe lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.