Yzedin Hima: Ta shohësh botën me syrin e një të marri - Gazeta Express
string(52) "yzedin-hima-ta-shohesh-boten-me-syrin-e-nje-te-marri"

Yzedin Hima: Ta shohësh botën me syrin e një të marri

Arte

Gazeta Express

27/07/2022 17:29

Shënime për romanin e Mehmet Krajës “Edhe të çmendurit fluturojnë”

Romani i Mehmet Krajës “Edhe të çmendurit fluturojnë”, parë nga pikëpamja e formës së nyjëtimit të tekstit, funksionit të shenjave semantike të këtij teksti, duket si vazhdim i prozës rrëfyese të botuar më herët në romanin me titull “Selvitë e Tivarit”. Edhe romani “Edhe të çmendurit fluturojnë” është një prozë magjepse, nyjëtuar sipas estetikës së realizmit magjik, por ku takohen edhe estetika të tjera moderniste si përroi psikik, ekzistencializmi dhe letërsia e absurdit.

Lexo Edhe:

Nëse çmitizmi te romani “Selvitë e Tivarit” realizohet artistikisht në një mjedis, ku takohen dhe ndërthuren shqiptarët, sllavët, turqit dhe europianët, në tekstin e romanit “Edhe të çmendurit fluturojnë”, me pamje që shfaqen artistikisht një shekull më pas nga pamjet e romanit të parë, protagonistët pothuajse janë po ata, shqiptarët, sllavët, eropianët. I jane shtuar skenës amerikanët, si pjesë e Kforit.

Pamja epike e maleve dhe shpateve që thyhen në det në hapësirën shqiptare të Malit të Zi në tekstin e romanit “Selvitë e Tivarit” është zëvëndësuar po me male epike që zbuten në një rrafshnaltë të mjegullt të një tjetër hapësire shqiptare, Kosovës. Te të dy tekstet ka një kontrast midis peizazhit epik dhe shtysave që përcaktojnë endjen e personazheve. Shtysa kryesore është instiktive. Personazhet në të dy tekstet udhëhiqen në endjen e tyre nga instiktet seksuale, që shpërthejnë nga nënvetëdija, instikte të ndrydhura apo të fshehura ndër shekuj. Të nxitura në tekstin e parë nga një shtëpizë enigmatike, e para shtëpi publike në atë mjedis, ku jeton një grua me seksualitet vullkanik, Zuke Kalimani, e cila shndërrohet në tekstin e romanit të dytë në një grua të marrë me emrin Marë dhe nga rrjet grash të tjera. Fijet e lëvizjes së përsonazheve i kanë në duar gratë. Teksti rrjedh lirshëm në të dy romanet, sa realist aq edhe magjik, herë filozofik e herë mjaft poetik.

Në tekstin e romanit “Edhe të çmendurit fluturojnë” shtëpia enigmatike e romanit “Selvitë e Tivarit” është shndërruar në shtëpinë e të marrëve apo çmendina, siç thirret rëndom në të folurin shqip, e cila sapo është liruar nga rojet sërbe dhe marrëzia e kontrolluar dhe e dhunuar me roje, derdhet në tërë mjedisin jashtë saj, duke u bashkuar me marrëzitë e të marrëve jashtë shtëpisë. Mjeshtërisht, autori ka përdorur një mjet stilistik tejet origjinal, ta shohë botën me sytë e një të marri. Leximi i botës nga i marri është përdorur për të ndërthurur me mjaft finesë, realen me surrealen, atë që duket me atë që fshihet, meditimin psikologjik me epifaninë. Edhe vështrimi poetik është i motivuar, i marri ka një dërrasë mangut, ndërsa poeti duhet të ketë një dërrasë tepër, por që të dy janë anomali.

Personazhi kryesor është Kadri Krasniqi dhe qeni tij Baloja, të cilin e gjati në një kryqëzim, ku përherë mungonte drejtimi i katërt. Ai është një i marrë, që sapo ka fituar lirinë nga çmendina dhe nuk di se çfarë të bëjë me të.

Kadri Krasniqi, i veshur me një pardesy pis të zezë, ku fjala pis i ka të gjitha kuptimet, ditën duket si një cope nate, ndërsa natën sillet rrotull “si një dorë mjegulle”. Poshtë pardesysë, Kadri Krasniqi është krejt lakuriq, sikurse mjedisi ku ai jeton, lakuriqësi që fshihet poshtë pelerinës së misterit dhe të panjohurës.

Ky tekst, sikurse në romanin modern europian, nuk ka linjë apo linja ngjarjesh. Teksti rrëfen për gjendje, pamje dhe veprime të shkëputura, që në dukje nuk kanë lidhje me njëri – tjetrin. Rrëfimii ndërtohet ndërmjet monologut të personazheve, dialogut që zhvillohet sërish brenda tyre dhe rrallë drejtpërdrejt midis personazheve. Autori nëpërmjet personazheve arrin çmitizojë ngjarje të mëdha dhe data të shënuara në jetën e banorëve të trevës. Ky çmitizim nis që në mënyrën se si i trajton autori ngjarjet e mëdha, cilat kanë tërhequr vëmëndjen jo vetëm të banorëve të Ballkanit apo Europës, por edhe të opinionit publik botëror. Ky çmitizim nga poeti dhe studjuesi i ndjerë Basri Çapriqi, në studimin e tij për prozën e Krajës emërtohet si relativizëm.

Janë të begatë mjetet artistike të përdorura nga autori për të sjellë pamje nga jeta e banorëve të Kosovës, jo vetëm në shekullin XX, por edhe gjatë shekujve. Mitet ballkanikë janë një mundësi e pasuri e madhe në ndërtimin e teksteve surrealistë, ku magjikja ndërthuret me realen, jeta këtej përzihet me jetën andej.

Kadri Krasniqi rrëfen për një personazh të fshatit të tij rrëzë malit të Goleshit. Lleshi, që banonte në kasollen pranë vorrezave, e grishte Kadri Krasniqin që të vendoste veshin në tokë dhe të dëgjonte bisedat që bënin të vdekurit. Nëpërmjet bisedave të të vdekurve Lleshi po e njihte më mirë botën e të gjallëve. Të vdekurit i tregonin pa pikë droje ato që nuk të kishin kurajo t’i tregonin në botën e të gjallëve. Pikërisht bota e të gjallëve, ndryshe nga bota e të vdekurve, ka një relacion hipokrit me të vërtetën, ndërsa këta të fundit e shpallin atë pa pikë droje, të gjallët i druhen fort asaj.

Sërish takojmë në këtë tekst çmitizimin e mitit të nderit, besnikërisë në mjediset tona alpine e kudo. Aty poshtë të vdekurit flasin për kurvëri të pashembullt në fshat, për sipiunime dhe tradhëti, për pusi ku qenë vrarë burra, por edhe për dashuri romantike të ndaluara, ndërsa bota lart tyre, “një metër e gjysmë më lart” vazhdonte të jetonte në një mjegull të gënjeshtërt nderi, bese, besnikërie, vazhdonte të përtypte mite të vjetër sa vetë bota e këtij trualli.

LLeshi nuk mundi ta mbante të fshehtën për vete, për shkak se nuk e ndante qartë botën e të gjallëve nga bota e të vdekurve. Kishte humbur nocionin e kufijve midis tyre.

Një pasdite Lleshi nisi të rrëfente faqe burrave të fshatit gjithë çfarë kishte dëgjuar nga të vdekurit. Fshatarët u larguan të pezmatuar nga e vërteta. Rrëfimi të kujton paksa romanin e famshëm të Gabriel Garcia Markesit “Një histori me paskuinë”.

“Mëngjesi që erdhi e gjeti LLeshin të varur pikërisht në atë degë, pa njërin vesh dhe me gjuhën e prerë, që i varej jashtë gojës, e ntrashur dhe e përgjakur si shpretkë viçi.” – shkruan autori.

Një tjetër personazh që lëviz në mjedisin absurd të romanit është piktori i marrë Shermeti, i cili pikturon endrrat e tij dhe, pasi i pikturonte, i griste dhe i pshurrte si të gënjeshtra. Mendimet që shfaq piktori Shermet kanë një ngjyrim filozofik si: ”…Endrrat një ditë zbresin në tokë, është si puna e zogjve që duhet të ulen diku, ndryshe fluturimi i tyre do të ishte marrëzi…”

Të marrët sillen në mjedisin e mjegullt të Kosovës dhe shpesh takohen në kryqëzimin ku mungon drejtimi i katërt. Duket sikur edhe kryqëzimi ka pësuar një traumë, duke humbur kuptimin e shënjuar nga fjala kryqëzim. Aty, Kadri Krasniqi takon edhe Hasanin e marrë, të tredhur dikur. Hasani, pas endjes në rrafshnaltën e mjegullt me Marën e marrë, pa patur mundësi të veprojë dhe pa ditur se ku duhet të shkojë, pasi dështoi të gjente një pemë për të varur veten me konopin që e mbante ndër duar, rikthehet te kampi i të marrëve, vesh uniformën sërbe të rojave të ikur dhe u kërkon të marrëve të rikthyer aty, (me sa duket nuk kishte ndonjë dallim të madh midis mjedisit të çmendinës së vogël me çmendinën e madhe jashtë saj) . U kërkon të marrëve të bëjnë gjimnastikë dhe në fund i urdhëron të thërrasin: “Rroftë Enver Hoxha.”

Siç duket, kjo thirrje ishte ende në modë pas lirimit të çmendinës së vogël dhe çmendinës së madhe. Enverizmi dhe praktikat e tij kriminale, pas lirimit të Kosovës nga tupat e Natos, i shkaktoi mjaft plagë shoqërisë shqiptare në Kosovë. Po le të kthehemi te teksti i romanit.

Të marrët, e mësuar pa roja sërbe, me anarkinë e paslirimit, e linçuan Hasanin e rrjedhur dhe të tredhur, duke e ngjeshur në hekurat e mprehtë të rrethimit të kampit.

Te romani “ Edhe të cmendurit fluturojnë”, takohet dukuria e palimpsestit, që lë shkas për një semantikë mjaft të gjerë intertekstuale. Autori, njohës i shkëlqyer i të gjitha regjistrave të gjhuës shqipe, e përdor arsenalin e tyre me mjaft efikasitet. Personazhet e tij, së pari janë të formuar prej gjuhe.

Ironia është fije thurëse e tekstit të romanit. Në retrospektivë autori tregon se rojat sërbe i nxorën burrat e marrë të shtëpisë së të marrëve në një kuadrat dhe i urdhëruan të meditonin e bënin çka i kënaqte. Të gjithë filluan të mastrubonin dhe pas mastrubimit, të çliruar, bërtitën: “Zivela Srbija”.

Në endjen e tij Kadri Krasniqi takon edhe Dom Zefin, priftin e marrë, i cili kishte ngrënë të gjithë librat e shenjtë, para se ta sillnin në kampin e të marrëve. Dom Zefi, pas largimit të rojeve sërbe, vazhdon predikimin nëpër rrugë, saktësisht, sikur të ishte në një meshë në kishë: “ …Duani armiqtë tuaj dhe bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni që I’Madhi t’ua lehtësojë dënimet atyre që ju vranë…”

Dom Zefi linçohet nga turma, që sa vinte e bëhej më e madhe, natyrisht jo nga të marrët, para të cilëve kishte predikuar prej kohësh, por nga banorët që nuk e kishin fituar ende statusin e të marrit, ndonëse kishin kryer plot marrina. Varja e dom Zefit në degën e pemës, ndërkohë që predikonte fjalën e Jezusit, nuk diket se shfaqet si një ogur i mirë për këtë mjedis. Ndërkohë që nga kjo sjellje e turmës, kupton se paqja dhe pajtimi midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve është mjaft larg.

Një tjetër personazh që endet në këtë realitet artistik është serbi i marrë Steva. Ai mban në supe një torbë me diçka të rrumbullaktë. Përpiqet të ikë me karvanin e sërbëve që largohen nga Kosova, por nuk ia arrin. Të gjithë bashkëatdhetarët e tij e shajnë, e fyejnë dhe nuk ndalojnë për t’i bërë vend. Duke u endur sa në një rrugë në tjetrën, sa në një kodër në fushëtirë, Steva nisi të përhapte një aromë të rëndë. Krimi i tij, sikurse krimet sërbe, po prishnin ajrin. Në torbë kishte kokën e Ilhamit, të cilin e përdhunoi dhe e theri, sapo u largua vëmëndja e të tjerëve. Me krimin e rëndë mbi supe, sikurse Sërbia e tij, Steva u end e u end derisa krimi i tij tundoi nje lahuni qensh, të cilët për shkak të aromës së tmerrshme iu vërsulën dhe e shqyen copash, deri sa dha shpirt e më tej.

Paralel më të marrët, në hapësirën e Shtimes sillen edhe disa personazhe me rroba ushtarake dhe armë. Ata hyjnë në disa shtëpi dhe dalin nga to me të zotin e shtëpisë, të cilin e tërheqin të lidhur deri lart ku nis pylli dhe pas fjalëve “Në emër të popullit je i dënuar me vdekje”, i lëshojnë batare kallashnikovi në kokë e trup. Kjo pamje përsëritet, ndonëse lufta ka mbaruar dhe vendi është liruar nga sërbët.

Shqiptarët vazhdojnë të vrasin shqiptarët, duke përdorur sloganet e filmave të realizmit socialist, që prej dekadash ka transmentuar TVSH-ja. Ato që ndodhnin në realitetin artistik socrealist, u zbatuan nga njerëz të armatosur në realitetin e njëmëndët, për të gjetur shembëllim artistik te teksti i Mehmet Krajës.

Ironia shfaqet therëse, kur gjatë një ekzekutimi të tillë, pasi shkrepi të gjithë karikatorin mbi fatkeqin, i cili u plandos në baltë, burri i veshur me rroba ushtarake thirri: “ Në emer të popullit je i dënuar me vdekje”. Shoku i tij i idealeve e qorton duke i thënë se ajo shprehja duhet thënë para se të tërhiqet këmbëza. Qortimi, për nga gjuha dhe gjakftohtësia, i ngjet qortimit të regjisorit ndaj aktorit që po luan një rol atentatori në filmat e realizmit socialist. Edhe më befasuese është përgjigja e atentatorit “Këtë nuk e vrava në emër të populli…”

Shenjë semantike, fort e dallueshme në këtë tekst, është dëshpërimi dhe pikëllimi. Të gjithë përsonazhet sillen në rrafshinë në kërkim të një vendi ku të gjejnë qetësinë, lumturinë. Nuk e gjejnë atë vend. Madje,edhe gazetari i huaj që sillët rrugëve si gjithë gazetarët, u tregon të marrëve në gjuhën që nuk e kuptojnë se nxitojnë kot për të ikur. Ai tregon se i ka rënë cep më cep globit dhe ende nuk e ka gjetuar atë vend ku njerëzit të jenë të lumtur.

Pothuajse gjithë personazhet, si në një tragjedi të antikitetit, përfundojnë tragjikisht. Pikëllimi dhe dëshpërimi marrin përmasa universale me rrënjë të thella, jo të një kohe, por të kohërave.

Radhimë, më 12.07. 2022/ExLibris

/Gazeta Express