Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim shpreson që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.
Përmes një postimi në Instagram, Kim shkruan se është thelbësore të respektohen ligjet për zgjedhjet, ku përfshihet edhe shit-blerja e votës.
Ambasadorja Kim iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë rregullat dhe ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
“Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”.
Ambasadorja e BE Christiane Hohmann u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë për të votuar dhe të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.
“Dëshira dhe urimi im për ditën e sotme është që sa më shumë zgjedhës të dalin të shkojnë në qendrat e votimit dhe që dita të vijojë kështu pa probleme në mënyrë të paqeshme.
Ajo që do vendosin qytetarët në të gjithë Shqipërinë është se kush do jenë përfaqësuesit e tyre në këshilla bashkiakë dhe ata që do ju përfaqësojnë në 4 vitet e ardhshme prandaj shfrytëzojeni të drejtën demokratike për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë që të zgjidhet politika më e mirë që ju mendoni”. , është shprehur ajo.
/Gazeta Express