Yllit të NBA i vdes nëna shkaku i koronavirusit - Gazeta Express

Yllit të NBA i vdes nëna shkaku i koronavirusit

Sport

Gazeta Express

14/04/2020 8:18

Jacqueline Towns, nëna e basketbollistit të NBA Karl-Anthony Towns, vdiq të hënën shkaku i komplikimeve shëndetësore që ia shkaktoi koronavirusi, sipas një deklarate të lëshuar nga klubi i basketbollistit, Minnesota Timberwolves.

Sipas deklaratës së lëshuar, nëna e Karl-Anthony Towns kishte qenë duke e luftuar koronavirusin për më shumë sesa një muaj, para se ta humbte këtë betejë të hënën, transmeton Gazeta Express.

“Familja Towns është zemërthyer nga vdekja e Jacqueline Towns, shkaku i komplikimeve shëndetësore të sjella nga koronavirusi”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga një familjar për Timberëolves.

“Jackie, siç njihej përzemërsisht për familjarët dhe shoqërinë, ka qenë duke e luftuar këtë virus për më shumë sesa një muaj, para se ta humbte përfundimisht këtë betejë më 13 prill”.

“Jackie ishte shumë gjëra për shumë njerëz – bashkëshorte, nënë, vajzë, gjyshe, motër, tete dhe shoqe. Si kryesuese e familjes Towns, ajo ishte një burim i jashtëzakonshëm i energjisë, një person i zjarrtë, i kujdesshëm dhe jashtëzakonisht i dashur, që e prekte këdo që e takonte. Pasioni i saj ishte aq i madh dhe energjia e saj nuk do të mundë të zëvendësohet kurrë”.

“Familja Towns është jashtëzakonisht mirënjohëse për mesazhet e shumta dashurie dhe mbështetjeje që ka marrë gjatë kësaj kohe të vështirë. Ata duan ta falënderojnë stafin mjekësor në Penn Presbyterion Medical Center dhe JFK Medical Center, të cilët luftuan për Jackien çdo ditë e natë dhe e ndihmuan Karl Sr. të shërohet nga po i njëjti virus që ia mori jetën Jackiet”.

“Familja është e dëshpëruar nga kjo humbje e madhe dhe kërkon me respekt privatësi gjatë kësaj kohe të mërzisë”.

Towns e kishte bërë publike betejën e nënës së tij me koronavirus përmes një video emocionale të publikuar në fund të marsit. Në atë video, ai kishte bërë të ditur se nëna e tij është duke marrë ndihmë nga ventilatorë për të marrë frymë, pasi ishte vendosur në komë.

Ai kishte thënë se po e ndante këtë video me shpreson se do t’i bindte të gjithë të qëndronin në shtëpi, përderisa e kishte bërë edhe një donacion prej 100 mijë dollarësh. /Gazeta Express/