E majta e tij ka qenë vrastare qysh kur nisi të luajë futboll.
Që nga koha e tij në futbollin e të rinjëve, Ylli qe i dalluar për golat e shënuar, shpejtësinë e tij, aftësitë e tij teknike, mirëpo mbi të gjitha për përshtatshmërinë e tij në ekip.
Ylli u rrit në akademinë e Dritës, aty ku u bë i njohur në futbollin gjilanas, para kalimit të tij te Gjilani këtë verë.
Te të rinjtë e Dritës, Ylli u bë si Gareth Bale, veçse ky u kthye në mbrojtje nga sulmi.
Ashtu e kërkoi trajneri, ashtu i pëlqeu atij dhe ashtu Ylli plasoi në futbollin profesionist, së pari te Drita e tash te Gjilani, ku po tregon aftësitë e tij, të cilat e shquanin atë qysh nga fëmijëria.
Në një intervistë ekskluzive me “Gazetën Express”, Yll Ibrahimi, mbrojtës i majtë te Gjilani, foli për ndryshimin e pozitës, mikpritjen te klubi i ri dhe objektivat e tij në të ardhmen, si në aspektiv kolektiv, ashtu edhe individual.
“Mungesa e mbrojtësve të majtë në ekip, më detyroi që të isha unë njëri ndër ta, pasi që kisha mundësi të ndihmoja edhe në fazën ofanzive (aty ku Ylli ‘shkëlqente’ në moshë të re)”, tha ai fillimisht.
Ylli e ka gjetur ‘shkëlqimin’ e tij te Gjilani, pas disa vitesh nën hije te Drita, duke mos pasur minutazhën e dëshiruar.
Por, çka e bindi Yllin t’i bashkohet Gjilanit dhe si e pritën aty, tregon më së miri vetë ai.
“Projekti serioz i presidentit të Gjilanit më ka bindur që unë të pranoj ofertën. Pritja te Gjilani ka qenë fantastike, si nga kryesia, bashkëlojtarët, ashtu edhe nga tifozët ‘Skifterat’”, shtoi Ibrahimi.
Te Gjilani, Ylli e gjeti një fytyrë të njohur, që më parë kishin bashkëpunuar te Drita. Është trajneri Ardian Nuhiu, i cili njëjtë si Ylli, këtë verë e nisi punën me bardhekuqtë nga Gjilani.
“Jam me fat që jam përsëri nën urdhërat e trajnerit Ardian Nuhiu, pasi ai është një super profesionist dhe një trajner i jashtëzakonshëm”, tha Ylli për trajnerin kuqebardh.
Ibrahimi, 21-vjeçar, tregohet tejet optimist për objektivat e sezonit me klubin gjilanas, duke synuar dy trofetë në futbollin kosovar.
“Padyshim që objektivi i klubit është që të jemi në pjesën e epërme të tabelës dhe të luftojmë deri në fund për titullin kampion dhe për Kupën e Kosovës”, tha Ylli.
Përveç paraqitjeve të mira me Gjilanin, Ylli tregoi se është i gatshëm të luajë në nivele më të larta të futbollit, me paraqitjen e tij ndaj Izraelit U21 me Kosovën U21.
Ai ishte i ftuar në ndeshjen e muajit shtator, që “Dardanët” e zhvilluan si mysafir të Izraelit U21, e të cilën e fituan minimalisht me golin e Milot Avdylit.
“Është gjithmonë kënaqësi me përfaqësu Kosovën. Për mua ishte një ndjenjë tejet e bukur që të jem pjesë e Kosovës në këtë nivel. Sidomos, fitorja me Izraelin e bëri edhe më të bukur debutimin tim”, tha Ibrahimi.
Yllin mund ta shohim në aksion në dy ndeshjet e tetorit, që Kosova U21 i zhvillon në kuadër të kualifikimeve për “EURO 2025”.
“Dardanët” e rinj fillimisht përballen me Poloninë në “Fadil Vokrri më 11 tetor, derisa katër ditë më vonë luajnë si mysafir të Estonisë./GazetaExpress/