Real Madridi mund të jetë pa një të tretën e yjeve të repartit ofensiv për ndeshjen ndaj Valencias në “Mestalla” të dielën mbrëma, teksa kërkon të mbajë presionin ndaj Barcelonës në krye të tabelës.
Megjithëse ka disa lajme pozitive për mbrojtjen, opsionet sulmuese të Alvaro Arbeloas duken shumë më të kufizuara.
“Los Blancos” do të jenë pa Jude Bellingham, i cili është në javën e parë të rikuperimit nga një tërheqje e lehtë në muskul.
Po ashtu mungon edhe Vinicius Junior, pasi braziliani mori kartonin e pestë të verdhë në La Liga për protesta javën e kaluar dhe është i pezulluar kundër Valencias.
Sipas “Diario AS”, edhe Rodrygo Goes mund t’i shtohet listës së mungesave.
Ai nuk u stërvit të premten për shkak të shqetësimeve muskulore dhe tani është në dyshim për këtë përballje.
Ai pritej të luante në vend të Viniciusit, por nëse mungon ndaj Valencias, do të humbasë tre nga katër ndeshjet e ardhshme të Realit për shkak të pezullimit në Ligën e Kampionëve.
Lajmi pozitiv për Arbeloan është se do të ketë më shumë opsione në mbrojtje.
Pas aktivizimit të Eduardo Camavinga dhe Fede Valverde si mbrojtës krahu fundjavën e kaluar, “Marca” raporton se Ferland Mendy dhe Trent Alexander-Arnold pritet të rikthehen në skuadër.
Francezi nuk ka luajtur që nga ndeshja e parë e vitit 2026, ndërsa Alexander-Arnold ka munguar për dy muaj.
Më pak e sigurt është prania e Antonio Rudiger, pasi gjendja e tij në stërvitjen e së shtunës do të përcaktojë nëse do të jetë i gatshëm.
Edhe David Alaba është në dyshim, pasi mungoi në stërvitjen e së premtes për shkak të një ftohjeje.
Aktualisht, Raul Asencio dhe Dean Huijsen janë favoritë për të nisur nga minuta e parë./GazetaExpress/