Ylli i Real Madrid, David Alaba, ka qenë një nga emrat e përfolur për një largim nga klubi muajt e fundit, për shkak të dyshimeve rreth rolit të tij nën drejtimin e Xabi Alonso. Mbrojtësi veteran tani është rikthyer nga dëmtimi, pasi iu nënshtrua një operacioni të tretë në dy vitet e fundit.
Alaba ishte titullar i rregullt nën Carlo Ancelottin përpara një dëmtimi të rëndë të ligamentit të kryqëzuar, që kërkoi një operacion të dytë për t’u rikuperuar. Katër muaj pas rikthimit, ai pësoi sërish një dëmtim tjetër në gju, që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale në prill. Los Blancos duket se po e ndërtojnë të ardhmen e mbrojtjes mbi Eder Militao dhe Dean Huijsen, dhe raportohet se gjatë verës i ofruan Alabas prishjen e kontratës. Po ashtu, austriaku ishte përfolur për disa oferta të tjera.
33-vjeçari u lidh me një transferim në Turqi dhe Serie A javët e fundit, por përpara ndeshjes së Austrisë me Qipron, ai dha një përgjigje të prerë ndaj zërave për largim.
“Kam qenë në futboll mjaftueshëm gjatë sa thashethemet janë pjesë e këtij profesioni. Për fat të mirë, nuk merrem gjatë me to dhe u kam qeshur shumë, sepse asgjë nuk ishte e vërtetë; ishin të gjitha gënjeshtra,” ka cituar Diario AS.
Alaba ende nuk ka luajtur nën Xabi Alonson, dhe ka dyshime mbi aftësinë e tij për të konkurruar për një vend titullari këtë sezon. Megjithatë, ai u shfaq i sigurt për gjendjen e tij fizike:
“Ndihhem mirë tani; kam bërë shumë progres së fundmi. Mendoj se mund të luaj 90 minuta me kombëtaren, edhe pse nuk e di nëse do të kishte kuptim. Do të shohim si do të ndjehem në ndeshjet e ardhshme. Qëllimi im është të luaj dhe të jem në fushë.”
Më pas, ai do të startonte dhe do të luante 70 minuta për Austrinë të shtunën mbrëma, në fitoren 1-0 ndaj Qipros në kualifikueset e Botërorit. Kjo ishte paraqitja e tij e parë si titullar që nga prilli./GazetaExpress/