Ylli i Man United i bën thirrje botës për ndërhyrje në vendin e tij: Qeveria po i vret njerëzit - Gazeta Express

Gazeta Express

21/10/2020 11:49

Me i fundit

Ylli i Man United i bën thirrje botës për ndërhyrje në vendin e tij: Qeveria po i vret njerëzit

Gazeta Express

21/10/2020 11:49

Ylli i Manchester Unitedit, Odion Ighalo, u ka bërë thirrje qeverive botërore të ndërhyjnë për ta ndalur dhunën në atdheun e tij, Nigeri.

Shteti më popullsinë më të madhe në Afrikë po përjeton kohë të dhunshme për shkak të protestave të qytetarëve kundër dhunës policore, gjatë të cilave disa njerëz kanë vdekur nga të shtënat me armë zjarri, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

pressing

Kryeqyteti i Nigerisë, Lagos – i cili i ka rreth 20 milionë banorë – do të shpallë shtetrrethim 24 orësh, në përpjekje për t’i mbajtur të ngujuar qytetarët, gjë të cilën janë duke e bërë shumë rajone në këtë vend tashmë.

Gjendja e rëndë në Nigeri u theksua edhe nga Sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen në fundjavë, i cili e festoi golin e vet të parë në Serie A me një mesazh që theksoi: “Ndaleni brutalitetin policor në Nigeri”.

Pas fitores së Manchester Unitedit 2:1 kundër PSG-së në Ligën e Kampionëve, Ighalo i bëri thirrje botës të shikojë se çfarë po ndodh në Nigeri dhe kërkoi ndihmë për të mos e lejuar qeverinë t’i vret qytetarët e vet.

“Jam i trishtuar dhe nuk e di nga t’ia filloj”, tha Ighalo në një video mesazh nga stadiumi i Parisit.

“Unë nuk jam tip që flet për politikë, por nuk mund të hesht më për atë që po ndodh në atdheun tim, Nigeri. Dua të them se qeveria është turpi i botës, që po i vret qytetarët e vet, duke e nxjerr ushtrinë në rrugë për të vrarë civilë të paarmatosur sepse ata po protestojnë për të drejtat e veta”, theksoi ai.

“Mua më vjen turp nga kjo qeveri. Jam lodhur nga ju njerëz. Nuk mund të duroj më”, shtoi ai.

“I bëj thirrje qeverisë së Britanisë së Madhe dhe të gjithë liderëve në botë, ju lutem shikoni se çfarë po ndodh në Nigeri dhe na ndihmoni – ndihmojini qytetarët e gjorë”, kërkoi ndihmë ai. /Gazeta Express/