Mesfushori i Schalkes, Amine Harit, ka marrë paralajmërim format nga klubi gjerman, pasi që i theu rregullat e vendosjes në karantinë gjatë krizës së koronavirusit për ta vizituar një “shisha bar” të enjten në mbrëmje.
Futbolli evropian është për momentin i pezulluar për shkak të krizës së virusit Covid-19, përderisa Gjermania është njëra ndër vendet më të prekura me 21,562 persona të infektuar dhe 73 të vdekur, transmeton Gazeta Express.
Bundesliga nuk pritet të rinisë deri të paktën në prill, përderisa qytetasit gjermanë janë duke i praktikuar rregullat e protokollit të vetizolimit, të dizajnuara për ta kontrolluar përhapjen e virusit dhe mbrojtjen e personave më të rrezikuar.
Një numër i futbollistëve në ligën e nivelit të parë të futbollit në Gjermani kanë dalë pozitiv në testin për virusin, duke i detyruar klubet t’i anulojnë seancat stërvitore e lojtarët dhe stafi janë inkurajuar të qëndrojnë nëpër shtëpi.
Qeveria gjermane ka deklaruar se mbajtja e një distance sociale është mënyra më e mirë për njerëzit që ta mbrojnë veten, përderisa restorantet, baret dhe kafenetë cilësohen si vende më të rrezikshme.
Schalke mbajti takim me futbollistin Harit, për t’ia kujtuar atij të gjitha këto masa parandaluese që duhet t’u përmbahet, pasi që ai u pa duke e vizituar një bar në orët e hershme të mëngjesit të premtes.
“Ishte një gabim. Ai e kupton këtë. Unë ia sqarova seriozitetin e situatës aktuale atij edhe një herë. Në këtë krizë të tmerrshme, gjërat që ishin normale dje, s’mund të tolerohen sot. Amine ndihet shumë keq dhe kjo nuk do të ndodhë sërish:, ka thënë drejtori sportiv i Schalkes, Jochen Schneider. /Gazeta Express/