Mesfushori i Italisë, Sandro Tonali, ka treguar detaje nga jeta e tij e përditshme në Newcastle United, duke pranuar me humor se i duhen edhe “katër-pesë vjet të tjerë” për të kuptuar plotësisht theksin Geordie (dialekt lokal në qytetin anglez).
Tonali, i cili debutoi në Serie A me klubin e tij të lindjes, Brescia, dhe më pas kaloi te Milani, e përshkroi transferimin në Premier League si një hap të madh në karrierën e tij.
Megjithatë, ai theksoi se ndjehet më mirë tani që është sistemuar në një shtëpi me të fejuarën e tij, Giulia, me të cilën është fejuar së fundmi dhe ka caktuar datën e martesës më 1 korrik. Tonali shpreson që verën tjetër të jetë i angazhuar me përfaqësuesen e Italisë në Kupën e Botës.
“Jeta në Angli dhe kupa e parë”
Në një video për kanalin zyrtar të YouTube të Newcastle United, Tonali zbuloi momente nga jeta e tij personale, duke e përshkruar periudhën te Milani si “ëndërr të realizuar” për veten dhe për babain e tij.
Ai gjithashtu tregoi se ka fituar trofeun e parë me Newcastle – EFL Cup, pas një fitoreje kundër Liverpoolit të Federico Chiesas në finale.
Në video, Tonali prezantoi edhe qenin e tij, Margot, dhe pranoi se ende ka vështirësi me disa pjesë të gjuhës angleze – veçanërisht me dialektin vendas.
“Nuk e kuptoj Geordie. Më duhen edhe katër-pesë vjet të tjera…” – u shpreh ai me të qeshur.