Mbrojtësi i majtë i Chelseat, Marc Cucurella, ka pranuar se do ta kishte të vështirë të refuzonte një rikthim te Barcelona nëse do t’i jepej mundësia.
Spanjolli është produkt i akademisë “La Masia” dhe dikur konsiderohej si një talent për ekipin e parë.
Me Jordi Alba si zgjedhja e parë në atë kohë, Cucurella vendosi të largohej për të zhvilluar karrierën.
Pas një huazimi tek Eibar, ai u transferua te Getafe, ku bëri përshtypje, përpara se Brighton & Hove Albion ta blinte.
Në vitin 2022, ai bëri transferimin e tij të katërt brenda pesë viteve, duke firmosur me Chelsean për 65 milionë euro.
Që nga ardhja në kombëtaren e Spanjës nën drejtimin e Luis de la Fuente, ai është bërë titullar i rregullt për “La Roja”.
Duke folur para ndeshjes së Spanjës kundër Egjiptit, Cucurella tha për “Marca” se do ta kishte të vështirë të refuzonte një rikthim te klubi i tij i fëmijërisë.
“Do të ishte e vështirë ta refuzoja. Nuk ka të bëjë vetëm me mua. Duhet të mendoj edhe për familjen time. Nëse ndodh, ndodh, dhe do të shohim çfarë vendimi do të merret.”
Më herët, ai kishte pranuar se e mendon një rikthim në La Liga në të ardhmen.
“Gjithmonë mendon për t’u kthyer. Jam shumë i lumtur aty, dhe po ashtu edhe familja ime. Do ta lë për disa vite më vonë…”
Ai u shpreh gjithashtu i lumtur për rikthimin në Kataloni për ndeshjen miqësore që do të luhet në “RCDE Stadium”:
“Shumë i lumtur. Kam pasur shumë kërkesa për bileta. Do të luajmë në një stadium të shkëlqyer dhe atmosfera është e mrekullueshme.”
Megjithëse është raportuar se Barcelona mund të dëgjojë oferta për Alejandro Balde këtë verë, Cucurella nuk është në listën e alternativave të klubit katalanas.
Me kontratë deri në vitin 2028 në “Stamford Bridge”, Chelsea mund të mendojë t’i ofrojë një marrëveshje të re, por për momentin ai duket jashtë mundësive financiare të Barcelonës, sidomos pasi pozicioni i mbrojtësit të majtë nuk është prioritet./GazetaExpress/