Ylli i bilardos, Mark King, flet për të ardhmen pas pezullimit pesëvjeçar për trukim ndeshjesh - Gazeta Express
string(92) "ylli-i-bilardos-mark-king-flet-per-te-ardhmen-pas-pezullimit-pesevjecar-per-trukim-ndeshjesh"

Sporte tjera

Gazeta Express

21/07/2025 14:39

Ylli i bilardos, Mark King, flet për të ardhmen pas pezullimit pesëvjeçar për trukim ndeshjesh

Sporte tjera

Gazeta Express

21/07/2025 14:39

Ish-sportisti i njohur i snooker-it, Mark King, i cili në vitin 2024 u dënua me pesë vite pezullim për përfshirje në trukim ndeshjesh, ka folur hapur për ndjenjat dhe të ardhmen e tij në këtë sport.

King, 51 vjeç, u pezullua fillimisht nga Federata Botërore e Snooker-it dhe Bilardos Profesionale (WPBSA) në vitin 2023, pasi u raportuan modele të dyshimta bastesh në humbjen e tij 4-0 ndaj Joe Perry. Vetë Perry nuk u akuzua për ndonjë shkelje.

Pavarësisht se ka mohuar vazhdimisht akuzat, King humbi apelin në muajin maj 2025, duke u detyruar të paguajë mbi 113,000 funte britanike shpenzime gjyqësore. Sipas raportimeve të BBC Sport në vitin 2024, një komision i pavarur disiplinor e shpalli atë fajtor për një rast të trukimit të ndeshjes dhe një rast të dhënies së informacionit të brendshëm lidhur me një ndeshje.

Akuza të tjera, si ajo për një trukim të mundshëm ndaj John Higgins në dhjetor të vitit 2022, u hodhën poshtë nga paneli.

Kreu i WPBSA-së, Jason Ferguson, në atë kohë u shpreh:

“Kam njohur Markun që në moshë të re. Ai është një lojtar me përvojë dhe ka pasur suksese të mëdha. Jam thellësisht i zhgënjyer nga ky vendim, por integriteti i sportit është gjithmonë prioriteti ynë numër një.”

“Ky rast dëshmon se nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të siguruar që miliona fansa të snooker-it anembanë botës të mund të kenë besim të plotë në këtë sport të mrekullueshëm.”

King nuk do të lejohet të kthehet në sport para marsit të vitit 2028.

Në një intervistë të fundit për BBC Sport, King foli për jetën që nga vendimi i pezullimit dhe pranoi se situata ka shkaktuar shqetësime të mëdha në familjen e tij:

“Personi që është prekur më shumë është gruaja ime. Ajo u detyrua të vendoste një pajisje për zemrën (pacemaker) pak kohë pasi filloi hetimi. E ka ndikuar shumë kjo histori.”

Ai gjithashtu pranoi se po përballet me vështirësi të mëdha financiare për shkak të kostove që ka sjellë ky proces.

“Sigurisht që nuk i kam 113,000 paund në xhep. Jam pa punë, jam një burrë 51-vjeçar. Provova një punë si punëtor ndërtimi, por ishte shumë e rëndë për mua.”

Kur u pyet për mundësinë e një rikthimi në snooker, King u përgjigj me rezerva:

“Nuk e di sinqerisht për momentin. E dua këtë sport, e dua atë mënyrë jetese dhe udhëtimet anembanë botës për të luajtur. Por në të njëjtën kohë ndiej ende zemërim dhe dhimbje për atë që ndodhi.” /GazetaExpress/