Fitoren e dytë rresht në elitën e basketbollit të Kosovës, Golden Eagle Ylli e ka shënuar të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Ylli fitoi ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultatin 83:79, në ndeshjen e xhiros së shtatë e që ishte jashtëzakonisht interesant.
Ylli shkoi në pushim me gjashtë pikë epërsi, 40:34, shkruan “Gazeta Express”.
Çerekun e parë suharekasit e fituan me rezultatin 21:16, ndërsa të dytin 19:81.
Mysafirët u kthyen në lojë në periudhën e tretë, të cilën e fituan 26:22, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit hynë me vetëm dy pikë disavantazh.
Prizrenasit kaluan edhe në epërsi 73:71, pesë minuta pa u mbyllur ndeshja, por suharekasit nuk lejuan befasi. E kthyen rezultatin në 75:73 dhe e ruajtën avantazhin deri në fund.
Terrell Brown shënoi 24 pikë, tri kërcime e katër asistime dhe i pati statistikat më të mira te vendësit.
Por kontribut të madh në fitore dha edhe kapiteni Gëzim Morina me 16 pikë, pesë kërcime e katër asistime.
Lenzelle Smith Jr. i kishte statistikat më të mira te Proton Cable Prizreni, me 17 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime.
Me këtë fitore, Ylli ngjitet në vendin e tretë me bilanc prej katër fitores e tri disfatave.
Proton Cable Prizreni mbetet në vendin e gjashtë me dy fitore e pesë humbje.
Ndeshja e fundit e xhiros së shtatë do të luhet të hënën, ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit./GazetaExpress/