Një zjarr në pyll është ndezur në një pjesë të pasur të Los Anxhelosit, duke shkatërruar shtëpi dhe duke shkaktuar bllokime trafiku, pasi 30,000 njerëz u evakuuan nën retë e mëdha tymi që mbuluan pjesën më të madhe të qytetit. Zjarri shkatërroi lagjen luksoze të Los Anxhelosit, ku jetojnë shumë njerëz të famshëm si Ben Affleck, Jane Aiko, Tom Hanks, Miles Teller dhe të tjerë, raporton Daily Mail.
Ben Affleck
Ylli i Hollivudit Ben Affleck bleu një rezidencë luksoze në Pacific Palisades korrikun e kaluar. Vila kap vlerën e 20.5 milionë dollarëve. Ka pesë dhoma gjumi dhe gjashtë banja. Për pronën prej rreth 570 metra katrorë, e cila u projektua fillimisht nga arkitekti Cliff May në vitet 1940, Affleck mori një hua prej 10 milionë dollarësh. Ndërkohë vila është rinovuar tërësisht.
Fotografët kapën aktorin 52-vjeçar duke parë elementin e zjarrtë i shokuar. Ai po kthehej në shtëpinë e tij në momentin kur policët bllokuan kalimin.
Miles Teller dhe Keleigh Sperry
Aktori Miles Teller dhe gruaja e tij, modelja Keleigh Sperry, blenë një rezidencë luksoze në mars 2023 për 7.5 milionë dollarë. Prona prej rreth 600 metrash katrorë përmban pesë dhoma gjumi, shtatë banja dhe shumë dhoma të tjera të bollshme.
Tom Hanks dhe Rita Wilson
Çifti i aktorëve Tom Hanks dhe Rita Wilson zotërojnë një rezidencë luksoze në Pacific Palisades, me vlerë 26 milionë dollarë. Shtëpia, e ndërtuar në vitin 1996, ndodhet në një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh dhe Hanks dhe Wilson u bënë pronarë të saj në vitin 2010.
Jane Aiko
Në vitin 2023, këngëtarja R&B, Jhene Aiko bleu një rezidencë për 5.6 milionë dollarë, të cilën e ndan me të dashurin e saj, reperin Big Sean. Shtëpia ka pesë dhoma gjumi dhe të njëjtin numër banjosh.
Kawhi Leonard
Ylli i basketbollit të Los Angeles Clippers, Kawhi Leonard është pronar i një pallati mbresëlënës prej 1000 metrash katrorë, të blerë në vitin 2021. Prona ka shtatë dhoma gjumi, 12 banja, një dhomë lojrash, një bar dhe një palestër private.
Eugene Levy
Aktori Eugene Levy, i njohur për serialin Schitt’s Creek, prej vitesh është banor i Pacific Palisades. Ai dhe gruaja Deborah Devine blenë shtëpinë e tyre në vitin 2006 për 2.4 milionë dollarë dhe Levy njihet nga vendasit si “kryetari i nderit”.
James Woods
Aktori i nominuar për Oscar, James Woods (77) ndau një video të zjarrit që përfshiu një shtëpi jo shumë larg shtëpisë së tij dhe më vonë njoftoi se ishte evakuuar nga zona.
“Nuk e di nëse shtëpia jonë ekziston ende, por fatkeqësisht shtëpia në rrugën tonë të vogël është zhdukur,” shkroi ai në X, duke shtuar se familja e tij e rinovoi shtëpinë pas pandemisë dhe se ata mbaruan punën muajin e kaluar. “Shpresoj që të gjithë të dalin shëndoshë e mirë… Ne po largohemi,” shtoi ai.