Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) sot në Beograd prezantoi raportin e saj, në të cilin theksohet se strategjia më e zakonshme për mohuarjen e krimeve të luftës gjatë luftërave të viteve ’90 në hapësirën e ish-Jugosllavisë është njohja që krimet kanë ndodhur, por nuk pranohet kualifikimi ligjor i tyre.
Raporti veçon se gjatë vitit të kaluar “kampioni” në këtë strategji ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili udhëhoqi fushatën e mohimit të krimeve gjatë votimit për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara, me të cilën 11 korriku u shpall Ditë Ndërkombëtare e Kujtesës për gjenocidin në Srebrenicë.
“Hulumtuesi Branimir Djuroviq tha se raporti me titullin ‘Gjendja e mohimit– gënjeshtra nën flamur’ i referohet mënyrës sesi Vuciq së bashku me anëtarët e Qeverisë së Serbisë ndoqën nga afër votimin në OKB, të mbuluar me flamurin serb,” tha Djuroviq.
Ai theksoi se pritet që edhe këtë vit të ketë një fushatë të fortë mohuese për shkak të përvjetorit të 30-të të gjenocidit në Srebrenicë dhe përfundimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Përveç mohimit nga ana e institucioneve që udhëheqin përfaqësuesit e pushtetit, sipas Djuroviq, mohimi ndodh edhe jashtë institucioneve, nga media, ish-ushtarë në pension, profesorë universitetesh, grupe të djathta, pseudoekspertë në televizionet qeveritare dhe kriminelë lufte të dënuar që shfaqen në ato media.
Profesoresha në pension nga Universiteti i Beogradit, Snjezhana Milivojeviq, njoftoi se mediat janë platforma kryesore për “politikat e mohuarjes” në shoqëri që refuzojnë të përballen me të kaluarën, dhe gjithashtu shërbejnë për heroizimin e autorëve të krimeve, duke shmangur përgjegjësinë politike dhe ligjore.
“Mediat janë vendi ku dëmtohet integriteti i institucioneve që duhet të merren me krimet e luftës, si gjykatat vendore apo tribunale ndërkombëtare,” tha Milivojeviq dhe shtoi se “kapja e mediave është kapje e shoqërisë.”
Duke folur për mohimine krimeve, ajo theksoi se bëhet fjalë për një projekt politik – jo amnistime rastësore për ngjarje të veçanta, por larje biografish, lavdërim të pjesëmarrësve në krime lufte dhe mohim të vendimeve ndërkombëtare – që synohet ndaj audiencave të ndryshme përmes shumë formave të medias, nga rrjetet sociale deri te mediat konvencionale. /Beta.rs