YiHR me seli në Beograd: Qëndrimi i Serbisë për rastin e Banjskës është kërcënim për konflikt - Gazeta Express
string(92) "yihr-me-seli-ne-beograd-qendrimi-i-serbise-per-rastin-e-banjskes-eshte-kercenim-per-konflikt"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2023 10:12

YiHR me seli në Beograd: Qëndrimi i Serbisë për rastin e Banjskës është kërcënim për konflikt

Lajme

Gazeta Express

27/09/2023 10:12

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YiHR) me seli në Beograd e ka vlerësuar thellësisht të gabuar dhe të dëmshëm qëndrimin e institucioneve dhe përfaqësuesve më të lartë të Republikës së Serbisë ndaj ngjarjes në Banjskë, derisa ka shprehur shqetësimin për mbështetjen publike të shtetit për veprimtari të dhunshme paraushtarake.

“Ndonëse nuk është hera e parë që përfaqësues të autoriteteve serbe lavdërojnë njerëzit për shkak të veprimtarisë së tyre kriminale, të cilët më vonë mbështjellen me petkun e patriotizmit, vrasja e policit të Kosovës dhe shkëmbimi i zjarrit për disa orë në Banjskë kërcënojnë të bëhen shkas për thellimin e konfliktit dhe vazhdimin e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në reagimin e YiHR-së.

Lexo Edhe:

Sipas këtij rrjeti dështimi i qëllimshëm për të vënë në dukje përgjegjësinë e personave që iniciuan konfliktin e armatosur paraqet normalizimin e asociacionit paraushtarak dhe zgjidhjen e dhunshme të problemeve, e jo normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Shpallja e ditës së zisë pa dënuar qartë veprimet e grupit të dhunshëm në paraqitjen e të cilit është gjetur një sasi e madhe armësh ilegale sjell opinionin në çorientim, duke i shkaktuar dëme afatgjata procesit të negociatave dhe njerëzve që jetojnë në Kosovë. Zgjedhja për të heroizuar dhe justifikuar veprimet e personave të dyshuar për një sërë krimesh të rënda, e të cilët u vranë në një aksion të policisë së Kosovës, kontribuon në stigmatizimin kolektiv të pjesëtarëve të nacionalitetit serb si kriminelë. Në këtë mënyrë po përhapet frika për një konflikt lufte, sidomos në veri të Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e YiHR-së.

Problem tjetër sipas rrjetit YiHR është dështimi për t’u përcaktuar me emrin e vërtetë personat të cilët përdorin dhe posedojnë sasi të mëdha të armëve ilegale dhe atë vetëm disa muaj pas fushatës shtetërore për dorëzimin e armëve pas vrasjes masive në Beograd dhe fshatrat përreth.

“Në një vend ku pothuajse një e katërta e të rinjve mendojnë se Serbia duhet ‘të rivendosë pushtetin e plotë në Kosovë me mjete ushtarake’, me këtë qëndrim ndaj konfrontimeve të dhunshme në Kosovë, përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Serbisë kontribuojnë në radikalizimin e të rinjve, duke i paraqitur si model njerëzit që nuk do të duhej. Qeveria, si dhe shërbimet e inteligjencës së Republikës së Serbisë, janë të detyruara t’u përgjigjen qytetarëve në një sërë pyetjesh të hapura dhe të panjohura. Është i nevojshëm një hetim urgjent nga prokuroria e Beogradit, e cila do t’i ofronte bashkëpunim Prokurorisë Speciale në Prishtinë për të gjitha rrethanat e ngjarjeve në Banjskë”, thuhet në fund të reagimit të YiHR-së.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YiHR) është rrjet rajonal i organizatave joqeveritare që funksionon me seli në Serbi, në Kroaci, në Mal të Zi, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.