Pas një sezoni të vështirë në krye të Barcelonës, Xavi Hernandez vendosi të tërhiqej për një vit pushimi, pas 2 viteve e gjysmë intensive në pankinën e klubit ku u formua si futbollist dhe trajner. Me përfundimin e këtij viti, emri i tij ka filluar sërish të qarkullojë mes klubeve të mëdha evropiane.
Sipas raporteve, Roma dhe Manchester United kanë kontaktuar me Xavin që në fillim të këtij sezoni, duke e parë si një opsion të mundshëm për të pasuar Daniele De Rossin dhe Erik ten Hag, përkatësisht. Megjithatë, që të dy klubet janë njoftuar se Xavi kishte vendosur të qëndronte larg futbollit për të paktën një vit, pas largimit stresues nga Barcelona.
Tani, në teori, Xavi është sërish i gatshëm për të punuar. Me Xabi Alonson që pritet të marrë drejtimin e Real Madridit, duket se Bayer Leverkusen ka filluar kërkimin për trajnerin e ri. Ndër emrat e përfolur për pankinën e gjermanëve janë edhe ish-trajneri i United, Erik ten Hag, dhe tekniku i Real Sociedad, Imanol Alguacil, i cili pritet të largohet nga klubi bask në fund të sezonit.
Sipas “Kicker” (cituar nga “Diario AS”), Leverkusen ka shfaqur interes për Xavin, duke vlerësuar stilin e tij të lojës, përvojën ndërkombëtare dhe njohuritë e mira të gjuhës angleze. Kontakti me trajnerin katalanas tashmë është bërë, dhe deri më tani nuk ka pasur refuzim nga ana e tij.
Një aventurë e Xavit larg Barcelonës do të ishte padyshim intriguese. Përveç eksperiencës me Al-Sadd në Katar, Xavi ka kaluar gjithë karrierën e tij si lojtar dhe trajner te Barcelona. Një hap drejt një klubi të ri do ta largonte nga presioni i mediave katalanase dhe do ta vendoste në një mjedis ku nuk ka njohuritë dhe lidhjet e njëjta si te Barça. Pavarësisht vështirësive në sezonin e tij të dytë të plotë, Xavi arriti ta shpallë Barcelonën kampione të La Ligas dhe fitoi edhe Superkupën e Spanjës.