Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, thuhet se është duke përgatitur transferimin e dy yjeve të Premier League përpara fillimit të sezonit të ri.
Alonso po përgatitet për sezonin e tij të parë në drejtimin e Los Blancos, pasi u largua nga Bayer Leverkusen për të marrë frenat te gjigantët e La Ligës përpara Kupës së Botës për Klube muajin e kaluar.
Real Madrid synon një sezon më të suksesshëm se ai i kaluar, kur nuk arriti të fitojë asnjë trofe të madh – u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe e përfundoi sezonin si nënkampion në La Liga dhe Copa del Rey.
Sipas Marca, Real po planifikon të largojë tre futbollistë gjatë kësaj vere: Rodrygo, Dani Ceballos dhe Fran Garcia.
Nëse largohen këta të tre, thuhet se 15-herë kampionët e Europës do të përqendrohen në afrimin e një qendërmbrojtësi të ri.
Real Madrid thuhet se është shumë i interesuar për Ibrahima Konaté, mbrojtësin e Liverpoolit, kontrata e të cilit përfundon në qershor të vitit 2026.
Marca pretendon se drejtuesit madrilen “e kanë bërë tashmë punën e nevojshme” për ta siguruar Konatén si lojtar të lirë verën e ardhshme, në një marrëveshje të ngjashme me atë të Trent Alexander-Arnold, që u transferua nga Liverpool te Real Madrid këtë verë.
Megjithatë, drejtuesit e klubit janë ende duke shqyrtuar nëse duhet të veprojnë tani apo të presin për fundin e sezonit të ardhshëm.
Ndërkohë, madrilenët raportohet se janë të interesuar edhe për William Saliba të Arsenalit, dhe interesi për të nuk varet nga realizimi apo jo i transferimit të Konatés.
Gjithsesi, transferimi i Salibas do të ishte “i madh, i komplikuar dhe shumë i shtrenjtë”, duke pasur parasysh se ai ka edhe dy vite të mbetura në kontratën me klubin londinez.
Arsenali është i vendosur ta mbajë mbrojtësin francez, dhe mediat raportojnë se klubi ka nisur tashmë bisedimet për rinovimin e kontratës.
Në mars, Saliba kishte deklaruar:
“Jam shumë i lumtur këtu. Kam dy vite e gjysmë që jam te Arsenali. Nuk ka asgjë [për t’u shqetësuar]. Jam i lumtur dhe dua të vazhdoj këtu.” /GazetaExpress/