Real Madrid po përballet me një problem të papritur gjatë merkatos së kësaj vere: lojtarët e panevojshëm nuk duan të largohen. Edhe pse Xabi Alonso ka përcaktuar tashmë listën e futbollistëve të konsideruar si të tepërt, asnjëri prej tyre nuk ka ndërmend të largohet nga klubi. Gjashtë emra ndodhen në qendër të konfliktit: Fran García, David Alaba, Ferland Mendy, Dani Ceballos, Rodrygo Goes dhe Brahim Díaz. Pavarësisht se kanë humbur rëndësinë në planet e trajnerit të ri, të gjithë insistojnë të qëndrojnë në skuadër.
Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në fleksibilitetin e klubit për të finalizuar afrime të reja. Fran García është ulur në stol pas ardhjes së Álvaro Carreras, ndërsa Alaba, i cili ka mungesë ritmi për shkak dëmtimeve, është lënë pas nga Dean Huijsen në rotacion. Roli i Mendy është reduktuar edhe më shumë dhe, ndonëse drejtuesit kishin menduar largimin e tij, mbrojtësi i majtë nuk po mendon të ndryshojë destinacion.
Dani Ceballos gjithashtu nuk ka ndërmend të rikthehet te Betis, pavarësisht interesit të hapur të klubit andaluzian. Vazhdimësia e tij pengon afrimin e një mesfushori tjetër kreativ. Në repartin ofensiv, Rodrygo humbi rëndësinë gjatë Kupës së Botës për Klube dhe shfaqja e Franco Mastantuono-s pritet t’ia kufizojë edhe më shumë minutat. Brahim, me një profil të ngjashëm, po ashtu nuk bën pjesë në planet e trajnerit.
Me këtë refuzim për t’u larguar, Madrid gjendet me një skuadër të mbingarkuar dhe me pak hapësirë për manovrim. Xabi Alonso dhe drejtuesit sportivë kishin parashikuar të zvogëlonin ekipin për të forcuar zona kyçe, por ngërçi me këta lojtarë e komplikon ndjeshëm çdo operacion afrimi në pjesën e mbetur të merkatos së verës./GazetaExpress/