Rusia po e ndihmon Iranin duke ofruar informacione mbi vendndodhjet e forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Washington Post.
Që nga e shtuna, thuhet se Rusia i ka dhënë Iranit vendndodhjet e disa objektivave ushtarake amerikane , duke përfshirë anije luftarake dhe avionë.
Raporti vëren se është e paqartë se deri në çfarë mase Rusia mund t’i ofrojë informacion të saktë Iranit, megjithëse një nga zyrtarët tha se është një “përpjekje mjaft gjithëpërfshirëse” nga ana e Moskës.
Rusia dhe Irani kanë mbajtur prej kohësh lidhje të ngushta dhe në janar 2025 të dy vendet nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik për të forcuar më tej bashkëpunimin, duke përfshirë partneritetet ushtarake dhe mbrojtëse.
Më herët këtë javë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se Rusia “nuk është realisht një faktor” në konfliktin me Iranin.