Dëshmitari Paul Williams duke folur para Gjykatës Speciale për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.
Ldhur me angazhimin që TPNJ-ja të ketë mundësinë që të ketë kompetenca të mjaftueshme që të zbatojë mandatin e saj, Williams tha se edhe Thaçi ishte i këtij mendimit
“Ai tha se kjo pasqyron këtë që na intereson edhe neve”, deklaroi Williams për Thaçin.
Dëshmitari pohoi se ishte i vetëdjshem se bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte edhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në.
“Delegacioni i Kosovës që përfaqësonin UÇK-në duke përfshirë edhe Hashim Thaçin kishin mundësinë që të shihnin se si TPNJ-ja vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe se Tribunali kishte ngritur aktakuzë ndërmjet këtyre palëve”, tha ai.
Ai tha se dihej që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme.
“Situata ishte faktike se Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme që do të përfshinte edhe aktorë të armatosur joshtetëror”, tha ai.
Në draftin e marrëveshjes, dëshmitari tha se shkruhej se prokurorja do të kishte qasje edhe në territorin e Kosovës përveçse në Serbi.
Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Williams tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës kosovare gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.
Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.
“Gjatë ditës së parë ose të dytë kur isha në godinë aty më ftuan që të japë një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika: dhe pika e katër ishte juridiskioni, aktivitetet, hetimet e aktakuzat e TPNJ-së”, tha Williams.
Juristi i së drejtës ndërkombëtare po ashtu tha se delegacioni kosovar iu kërkoi hollësi lidhur me këtë çështje dhe për tema të tjera. Përshtatja e gjuhës në dokumente, sipas tij, iu kërkua nga Fehmi Agani.
Dëshmitari tha se ishte i thirrur që në këtë gjuhën gjihëpërfshirëse ta përfshinte qasjen e mjaftueshme të TPNJ-së për të ushtruar mandantin e saj edhe brenda Kosovës.
“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokurorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë se nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë Masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerezimit’. Prokurorja do të hetonte atje por i thanë që nuk ke vizë”, u shpreh Williams.
Williams tha që arsyet e tjera që lidhen me mbështetjen e plotë të TPNJ-së, ishte edhe të ruhej një barazi morale.