Dëshmitari Paul Williams mohoi se trupat gjermane kanë gjetur 15 të burgosur përfshirë edhe një person të moshuar i cili është gjetur i lidhur me pranga në një karrige dhe i rrahur e që ishte i vdekur në ish-godinën e MUP-it në Prizren.
Sipas prokurorit James Pace, kjo godinë dyshohet se është marrë nga UÇK-ja në qershor të 1999-ës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Këtë shembull konkret?, Jo, nuk më kujtohet”, tha Williams, duke shtuar që nuk iu kujtohen as raportimet e mediave për këtë gjë.
Dëshmitari mohoi të ketë pasur ndonjëherë kontakt me Adem Demaçin e po ashtu tha se nuk e di nëse ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Nuk kam dijeni lidhur me këtë”, deklaroi ai.
Dëshmitarit iu prezantua një libër në të cilin edhe ai ishte autor. Ky libër ishte shkruar në vitin 2001, në të cilin thuhej se disa persona nga popullata e Kosovës e kishin krijuar UÇK-në, e cila vrau policë serbë dhe persona të forcave ushtarake. Po ashtu, në atë libër, sipas prokurorit thuhej se UÇK-ja kishte vrarë edhe persona që cilësoheshin si bashkëpunëtorë, e që kryesisht ishin shqiptarë.
I pyetur se kur e kishte kuptuar që UÇK-ja vriste persona që perceptoheshin si kolaboracionistë, dëshmitari u përgjigj me “nuk e di”.
Më pas, atij iu prezantua një artikull që e ka shkruar nga fundi i 2002-ës, e që kishte formulime të njëjta për UÇK-në. /BpD/