Wilder turpërohet sërish, dalin në shesh deklaratat e para tre vjetëve - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

29/02/2020 8:44

Wilder turpërohet sërish, dalin në shesh deklaratat e para tre vjetëve

Sport

Gazeta Express

29/02/2020 8:44

Deklaratat e Deontay Wilderit në vitin 2017, kur e kishte kritikuar kundërshtarin e tij Bermane Stiverne për arsyetimet që i kishte dhënë pasi kishte humbur, janë publikuar sërish dhe tani tifozët e boksit po e përqeshin vetë amerikanin.

Para një jave, Wilder u mposht në një meç të dominuar plotësisht nga Tyson Fury, para se trajneri i tij ta gjuante peshqirin për ta dorëzuar meçin në rundin e shtatë, transmeton Gazeta Express.

Pas meçit, Wilderi e fajësoi kostumin e tij të rëndë dhe më vonë e fajësoi edhe Anthony Dirrellin që i kishte thënë skuadrës së tij ta gjuante peshqirin në ring. Asnjëra arsye nuk u vlerësua si e mjaftueshme nga tifozët, por tani ato po përqeshen edhe më shumë.

Kjo pasi që në vitin 2017, pas rimeçit të tij me Stiverne, amerikani e kritikoi kundërshtarin e tij kanadez për arsyetimet që i kishte dhënë pas disfatës në meçin e parë mes tyre.

“Unë e konsideroj atë një humbës të keq. Unë u them njerëzve gjithmonë para se të përballem me ta, unë ua bëj atyre dhe tifozëve të ditur që të mos shpikin arsyetime për fitoret e mia pasi t’i mposhti”, ka thënë Wilder.

“Stiverne e bëri pikërisht këtë. Të gjithë kanë arsyetime. Megjithatë, askush nuk dëshiron t’i dëgjojë arsyetimet e tua pasi të humbasësh. Kur humb, ke humbur. Ballafaqohu me këtë fakt”.

“Por, edhe nëse është një arsye që në fakt ka ndodhur, mbaje mes vetes dhe ekipit tënd. Kthehu në stërvitje dhe puno për atë gjë sepse njerëzit nuk dëshirojnë të dëgjojnë arsyetime pasi ke humbur. Mendoj se ky ishte problemi me Stiverne – ai fliste shumë”. /Gazeta Express/